Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, e ka cilësuar të merituar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin Evropian.

Në një reagim në rrjetet sociale, Spiropali tha se ky votimi pro Kosovës për antërësimin në Këshillin e Evropës është dëshmi e besimit të Kosovës në vlerat e larta të demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut.

“E ke merituar Kosovë! Votimi nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës që rekomandoi me votim bindës për pranimin e Kosovës në KiE është një lajm i rëndësishëm, dëshmi e besimit të Kosovës në vlerat e larta të demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut, duke treguar përkushtim maksimal në sfidën e saj për t’u bërë pjesë e kësaj organizate të rëndësishme me vlera të patjetërsueshme”, shkruan Spiroplai.

“Një falënderim i posaçëm për të gjithë miqtë dhe partnerët e zëshëm në Asamblenë Parlamentare, mbështetja e të cilëve i dha Kosovës një tjetër dimension lirie dhe fuqie për të mbërritur drejt të ardhmes së sigurt”, vijon Spiropali.

“Kemi bindjen e plotë se vendimi final i Komitetit të Ministrave në maj do të shënjojë një tjetër moment historik për Kosovën, pjesën tjetër të Kombit që ka afruar progresin përmes vlerave europeiste, në të cilat gjithmonë ka besuar, për të cilat gjithmonë ka luftuar!”, përfundon Spiropali.

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës votoi sot pro anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë. Pro votuan 171 deputetë, kundër ishin 29, kurse 11 abstenuan./ata