Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta vijoi sot akuzat ndaj kreut të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani.

Gjatë një konference për shtyp, Meta e akuzoi Dumanin se po përdoret për të asgjësuar pluralizmin politik.

“Te SPAK, ka Dum Duman, por ka edhe prokurorë që luftojnë krimin dhe korrupsionin. Kam bërë deklaratë solidariteti për prokuroren e kërcënuar nga banditët. Nuk ka njeri në prokurori që nuk e di se çfarë mbështetje i kam dhënë Arben Rakipit apo atyre që hetonin çështjen e vrasjes së Azem Hajdarit”, tha Meta.

“I them Dumanit se ka përmendur tre herë emrin tim, më ka çuar edhe njerëz të më mbushin mendjen të iki nga Shqipëria. Pse legen si puna jote jam unë. Çfarë prokurori je ti që gjëmon vjehrrën time, të marrësh peng familjen time e do të marrësh Partinë e Lirisë t’ja japësh atij torollakut. Nuk nxorëm mend nga lulushët ne? Pse ka frikë Ilir Meta nga burgu yt?”, tha Meta.

Duke iu drejtuar Dumanit, Meta tha se ai nuk mund të flasë në emër të SPAK.

“Si flet ti në emër të SPAK? SPAK prandaj e bëmë, që çdo prokuror të ketë përgjegjësinë e tij atje. Aty ti je për të firmosur në emër të SPAK, jo për të bërë zëdhënësin politik. Të
kanë thënë ty amerikanët të më fusësh mua në burg? Por kur të duash ti dhe amerikanët e tu, Ilir Meta ballafaqohet këtu dhe në Amerikë. Thirri mendjes, reflekto, kthjellohu. Nuk të mbron do ty as KLP as Zoti. Ky nuk është kërcënim. Është ndihmë, këshillim”, vijoi Meta.

“Po çfarë presim ne të thuash ti që kam takuar McGonigal? Që i ke vajtur 20 herë në burg në Fier te Kastriot Ismailit për të thënë jep dëshmi kundër Iliri Metës, të dalësh ti nga burgu të futet ai? Po Ilir Meta në atë vit ka qenë ministër i Jashtëm, ka 150 netë jashtë shtetit. Ti merresh me ato punë se nuk ke takat të arrestosh Erion Veliajn. Ti je prokuror, jo i amerikanëve, je i Engjëll Agaçit. Mos u fshih pas amerikanëve, se ka amerikanë të ndershëm e patriot si shumica, ka edhe McGonigal dhe fundërrina. Por unë jam nga rraca e Vojo Kushit”, tha Meta.

Sipas tij, KLP duhet t’i kërkojë Dumanit të mos bëj deklarata politike, por të veprojë sipas ligjit dhe Kushtetutës.

“Për Dumdumanin. Arben Ahmetaj bëri një deklaratë, bëri të qartë që s’kishte lidhje me procedurën e inceneratorit. Në ato që tha aludoi qartë për Ramën dhe Veliaj. KLP që qenka shqetësuar shumë, KLP t’i thotë mos bëj deklarata politike, të veprojë sipas ligjit dhe Kushtetutës. Dumdumani mblodhi gazetarët dhe tha prisni se do ketë surpriza për Arben Ahmetaj, surpriza ishte puna e ‘Bukës’. Dumdumani donte t’i jepte mesazh Ahmetajt mbyll gojën, shijo çfarë ke për të shijuar se mund ta bëjmë gjënë edhe më të vështirë”, tha Meta./ata