Kryeministri Edi Rama tha sot se “çdo vendim qeverie, çdo vendim institucioni, çdo pjesë e dokumentacionit të çdo marrëveshjeje kontraktuale që nuk hyn në hapësirën e ngushtë të konfidencialitetit duhet të jetë publike”.

“Ambicia jonë duhet të jetë që në fund të këtij viti të kemi një përmbysje të të gjithë përmbajtjes jo të kënaqshme të të dhënave për aksesin e publikut në informim dhe për garantimin e të drejtës së informimit”, tha Rama në konferencën e VI Kombëtare për të Drejtën e Informimit

Kryeministri u shpreh se “këtu fillon edhe debati që në këtë rast e kemi me një shembull, por që mund ta gjejmë në të gjithë jetën e vendit sot për hendekun mes legjislacionit dhe zbatimit të legjislacionit. Kur dëgjon që 70% e ankesave për mungesën e të drejtës ose shkeljes së të drejtës se informacionit që vijnë në Zyrën e Komisionerit përmbushen në sekondë, pasi Zyra e Komisionerit vihet në lëvizje dhe i kërkon institucioneve përkatës të informojnë qytetarin apo grupin e caktuar të interesit është për të vënë duart në kokë”.

Kreu i qeverisë u shpreh se “tjetër që bën shumë përshtypje është që ende sot ka një mendësi dominante në administratë që dhënia e informacionit është një ekspozim i panevojshëm, ndërkohë që këtu bëhet fjalë për të dhënë informacion mbi veprimet e kthyera në vendime, të cilat janë aty”.

“Është absolutisht dramatike edhe aq qesharake kur marrja e informacionit, marrja e dokumenteve që janë shkruar dhe që ekzistojnë dhe nxjerrja e tyre në publik paraqitet si një zbulim. Gjeta një dokument, në fakt ai dokument nuk është pronë e askujt, nuk është pronë e qeverisë së radhës, por pronë publike dhe prona publike duhet të jetë e aksesueshme”, tha Rama duke shtuar se ne mund të bëjmë një progres shumë të shpejtë./ata