Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali priti në takim Albana Vrionin, drejtore ekzekutive e organizatës “Women on Boards Albania”, pjesë e European Women on Boards – EwoB.

Spiropali u shpreh se pati një takim produktiv pune me znj. Albana Vrioni, drejtore ekzekutive e organizatës ‘Women on Boards Albania’, pjesë e European Women on Boards – EWoB, që synon promovimin e diversitetit gjinor dhe përfshirjen në pozicionet më të larta ekzekutive dhe drejtuese korporative të grave shqiptare, brenda dhe jashtë vendit.

Fuqizimi i mëtejshëm i rolit të grave dhe vajzave, edhe në kompani dhe struktura ekonomike, si dhe mundësitë e bashkëpunimit të mëtejshëm në mbështetje të tyre, ishin në fokus të bisedës së tyre.

Spiropali theksoi në takim angazhimin dhe përpjekjet konkrete që ka ndërmarrë qeveria shqiptare për t’i dhënë grave dhe vajzave shqiptare vendin e merituar në shoqërinë tonë, për të luftuar diskriminimin dhe për të promovuar barazinë gjinore, duke synuar fuqizimin ekonomik të grave, parandalimin dhe uljen e rasteve të dhunës kundër grave, rritjen e pjesëmarrjes së grave në organizmat politikë dhe proceset vendimmarrëse./ata