Kancelari gjerman, Olaf Scholz, është nisur për në SHBA për bisedime me presidentin amerikan, Joe Biden, mbi rritjen e mbështetjes ushtarake për Ukrainë.

Duke folur në një konferencë për media në Berlin para nisjes, Scholz theksoi se ukrainasit kanë nevojë për më shumë mbështetje në armë dhe municione për të mbrojtur vendin e tyre kundër Rusisë.

"Ajo që është premtuar deri më tani nga Evropa, ajo që është premtuar nga Kongresi i SHBA-së, nuk është ende e mjaftueshme. Ne duhet të gjejmë një mënyrë për të bërë më shumë së bashku", tha ai.

Scholz tha se duke qëndruar në mbështetjen dhe unitetin e tyre, amerikanët dhe evropianët mund t’i japin një mesazh të fortë presidentit rus, Vladimir Putin.

"Mesazhi ynë do të jetë se ai (Putin) nuk duhet të presë që mbështetja jonë për Ukrainën do të zbehet, ajo do të zgjasë mjaftueshëm dhe do të jetë mjaft e madhe. Ky do të jetë mesazhi ynë", theksoi ai.

Vizita e kancelarit gjerman ndodh në një kohë të shqetësimeve në rritje në Evropë për angazhimin e SHBA-së për mbështetjen ushtarake për Ukrainën gjatë një viti zgjedhor.

Dje, senatorët republikanë amerikanë votuan për të bllokuar një paketë për më shumë siguri në kufirin SHBA-Meksikë dhe për ndihmën e huaj për Izraelin dhe Ukrainën.

Një grup senatorësh shtrënguan paketën kur republikanët refuzuan të votojnë për ndihmën ndaj Ukrainës nëse nuk përfshihen edhe masa të reja kufitare, por në momentin e fundit republikanët e hodhën poshtë paketën pasi ish-presidenti amerikan, Donald Trump, i cili po kërkon të kthehen në Zyrën Ovale, u ankua se nuk dëshiron t’i japë presidentit aktual, Joe Biden, një fitore legjislative./aa