Tetë persona u vranë dhe 14 të tjerë u plagosën nga të shtënat masive që ndodhën në disa fshatra të Mlladenovcit, në territorin e qytetit të Beogradit, bëri të ditur Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

 

Sipas njoftimit, sulmuesi i dyshuar U.B., i lindur në vitin 2002, u arrestua afër qytetit të Kragujevcit, pas disa orësh në arrati.

 

Të shtënat ndodhën në fshatrat Dubona, Mallo Orashje dhe Shepshin, të enjten vonë.

 

“Policia po vazhdon punën për zbardhjen e të gjitha fakteve dhe rrethanave të kësaj ngjarjeje”, thuhet në njoftimin e ministrisë serbe.

 

Policia ende nuk ka bërë të ditur motivin e sulmit.

 

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një konferencë për media pas këtij sulmi tha se “ky është një sulm ndaj gjithë vendit tonë dhe çdo qytetar e ndjen”.

 

Vuçiç përmendi disa masa sigurie që do t’i ndërmarrë qeveria përfshirë punësimin e 1.200 policëve të rinj dhe transferimin e 1.000 të tjerëve për të qëndruar afër shkollave.

 

“Në mënyrë që prindërit të ndjehen të sigurt, do të ketë edhe polici e oficerë pothuajse gjithmonë në shkollë, derisa të arrijmë në atë nivel që polici të jetë gjithmonë në shkollë. Me këtë, jo vetëm që do të rrisim sigurinë për 90 për qind, por do të ulim edhe dhunën e bashkëmoshatarëve në shkollë me 80 për qind, besoj”, tha Vuçiç.

 

Sipas disa mediave lokale, sulmuesi qëlloi mbi njerëz me një armë automatike, pasi pati një debat me një oficer të policisë, në një park në fshatin Dubona.

 

Tre nga të plagosurit iu nënshtruan trajtimit urgjent mjekësor në një spital lokal, raportojnë korrespondentët e Radios Evropa e Lirë në terren.

 

Instituti për Transfuzion të Gjakut në Serbi i tha REL-it se Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje qytetarëve që të dhurojnë gjak.

 

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Bratisllav Gashiq, e cilësoi incidentin si “akt terrorist”, shkruan portali serb i lajmeve, Telegraf.

 

Forcat e xhandarmërisë me armë të gjata dhe patrulla të shumta policore janë në terren.

 

Ministrja e Shëndetësisë e Serbisë, Danica Grujiçiç, dhe shefi i Shërbimit të Zbulimit, Aleksandar Vulin, raportohet se kanë udhëtuar në zonë.

 

Këto janë të shtënat e dyta masive që ndodhën në Serbi këtë javë.

 

Të mërkurën, një djalë 13 vjeç dyshohet se vrau tetë nxënës dhe një rojë të sigurisë në një shkollë në qendër të Beogradit.

 

Reagimet ndërkombëtare

 

Figura të politikës evropiane kanë reaguar ndaj ngjarjeve në Serbi duke dënuar sulmet dhe ngushëlluar të prekurit nga tragjeditë.

 

Josep Borell, kryediplomat i Bashkimit Evropian në Twitter shkroi: ” Një tjetër rast i të shtënave masive në Serbi me njerëz të pafajshëm të vrarë. Kjo është një tragjedi tronditëse, e tmerrshme – ne ndjejmë dhimbjen dhe qëndrojmë me popullin e Serbisë në këto momente të vështira”.

 

Edhe komisioneri i BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi bëri thirrje për ndalje të dhunës.

 

“I dërgoj ngushëllimet më të thella familjeve të viktimave dhe mbarë kombit të Serbisë. Gjithashtu uroj shërim të shpejtë për të plagosurit. Kjo dhunë duhet të marrë fund tani!”, shkroi ai.

 

Ndërkaq raportuesi për Serbinë, në Parlamentin Evropian, Vladimir Bilçik bëri thirrje “për një hetim të plotë të ngjarjeve të tmerrshme dhe vendosje të plotë të drejtësisë”.

 

Sekretarja e përgjithshme e Këshillit të Evropës, Marija Pejçinoviq Buriq, shkroi në reagimin e saj në Twitter se “është tronditur nga të shtënat e tjera masive në Serbi”.

 

“Mendimet e mia janë me viktimat, familjet e tyre dhe autoritetet në Serbi”, tha ajo.

 

Serbia, aktualisht, është në ditë zie për viktimat e sulmit në shkollë.

 

Qeveria serbe tha të enjten se ka marrë vendim që të bëjë një rishikim të gjerë të lejeve ekzistuese për armët private. Ajo paralajmëroi edhe një moratorium dyvjeçar për dhënien e lejeve të reja për mbajtjen e armëve të shkurtra të zjarrit.

 

Të shtënat masive janë relativisht të rralla në Serbi, por zotërimi i armëve në vend është ndër më të lartit në Evropë.