Ministrja e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, i ka bërë thirrje Izraelit të veprojë me “maturi dhe përgjegjësi” mes frikës se reagimi i tij i mundshëm ndaj sulmit të Iranit mund të shkaktojë një zjarr të gjerë rajonal.
“Si një mike e ngushtë e Izraelit, unë sot e kam shprehur qartë shqetësimin tim të madh”, u tha Baerbock gazetarëve në Tel Aviv pas takimit me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.
“Rajoni nuk duhet të rrëshqasë hap pas hapi në një situatë, rezultati i së cilës është plotësisht i paparashikueshëm. Të gjithë tani duhet të veprojnë me maturi dhe përgjegjësi”, tha Baerbock.
Ajo ripohoi solidaritetin e Gjermanisë me Izraelin dhe paralajmëroi edhe një herë Iranin, si dhe aleatët e tij, që të mos përshkallëzojnë më tej tensionet në rajonin e Lindjes së Mesme.
“Si BE, ne tashmë kemi vendosur sanksione masive ndaj Iranit dhe ne po vazhdojmë të punojmë për këtë. Në të njëjtën kohë, tani është thelbësore që kjo situatë shumë e rrezikshme të mos përshkallëzohet në një zjarr të gjerë rajonal”, tha Baerbock.
Shefja e diplomacisë gjermane theksoi se Berlini tani pret që të gjithë aktorët të veprojnë me “maturi dhe përmbajtje të mençur” për të parandaluar një konflikt më të gjerë në Lindjen e Mesme.
Aleatët kryesorë të Izraelit, duke përfshirë SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar, këtë javë kanë shtuar përpjekjet e tyre diplomatike për të bindur Tel Avivin të zmbrapset nga një sulm hakmarrës ndaj Iranit, në një përpjekje për të shmangur një luftë më të gjerë në rajon.
Të shtunën, Irani nisi një sulm ajror ndaj Izraelit në hakmarrje për një sulm ajror të 1 prillit në kompleksin diplomatik iranian në kryeqytetin Damask të Sirisë. Thuhet se Irani ka lëshuar më shumë se 300 dronë dhe raketa, me pothuajse të gjitha të kapura nga sistemet e mbrojtjes ajrore të Izraelit dhe aleatëve të tij, SHBA-së, Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar./aa