Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se kanë nisur diskutimet për të sjellë pranë akademisë së “Manchester City”, akademinë e tenisit “Rafa Nadal”.

Kryeministri e bëri të ditur lajmin gjatë prezantimit të projektit të kampusit të Akademisë së Futbollit të “Manchester City” në Durrës.

“E gjithë ajo zonë do të kthehet nga një kënetë e dikurshme në një zonë shumë atraktive në shumë aspekte dhe shpresoj shumë që siç patëm sukses me Anin, me ‘Manchester City’-n do kemi sukses dhe me akademinë e Nadalit për ta sjellë në Durrës dhe për të vazhduar më tutje me të tjera projekte dhe me të tjera ide, që deri dje, për hir të së vërtetës, dukeshin komplet të paimagjinueshme, jo më të mundura”, tha Rama.

Sipas tij, “sot këto projekte janë gjithnjë e më të mundura, sepse sot Shqipëria nuk është më ajo që ishte deri dje, një vend që kur e dëgjonin ju dilnin përpara fantazma frikash dhe pasigurish”.

“Shqipëria është një vend që kur shqiptohet në emër, menjëherë tërheq vëmendje në të gjitha nivelet, në të gjitha fushat, nga të gjithë ata që e dëgjojnë dhe kjo është vlera e shtuar që kemi arritur të krijojmë dhe mbi të cilën do vazhdojmë të ndërtojmë më tutje Shqipërinë e 2030”, theksoi Rama./ata