Gjermanisë mikpritëse iu desh një penallti në pjesën e dytë nga Kai Havertz dhe një gol nga Jamal Musiala për të kaluar Danimarkën 2-0 në një përplasje në 1/16-at e EURO2024, e dominuar nga stuhia, VAR-i dhe prania e kancelarit Olaf Scholz.

Kjo ishte fitorja e parë me eliminim direkt në tetë vjet për Gjermaninë, e cila të premten do të përballet me fituesin e ndeshjes Spanjë-Gjeorgji.

Në pjesën e dytë, Joachim Andersen mendoi se i dha Danimarkës epërsinë, por VAR-i dalloi një pozicion milimetrik jashtë loje.

Menjëherë më pas, në minutën e 53-të, i njëjti lojtar u gjykua se kishte luajtur me dorë në zonë dhe pas një rishikimi Havertz gjeti me penallti cepin e rrjetës përtej zhytjes dëshpëruese të Kasper Schmeichel.

Pasimi i shkëlqyer i gjatë i Nico Schlotterbeck më pas liroi Musiala në minutën e 68-të dhe ky i fundit nuk zhgënjeu.

Herën e fundit që lojtarët e Gjermanisë luajtën një turne të madh në Dortmund, ata humbën gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2006 nga Italia.

Ata kanë fituar një Kupë Bote që atëherë, por më pas kanë dështuar në dy edicionet e ardhshme, si dhe kanë humbur nga Anglia në këtë fazë të Euros, tre vjet më parë.

Të rinjtë e Julian Nagelsmann nuk luajtën në mënyrën më të mirë të tyre, por bënë mjaftueshëm për t’u hakmarrë për fitoren e Danimarkës në finalen e Euro ’92.

Ndeshja u ndërpre në minutën e 35-të nga një stuhi e dhunshme, e shoqëruar me rrufe të shumta.

Lojtarët e Gjermanisë dhe Danimarkës u detyruan të ktheheshin në dhomat e tyre të zhveshjes pasi rrufetë dhe shiu nuk lejonin vazhdimin normal të takimit.

Rezultati ishte 0-0, kur shiut ia zuri vendin një breshër i dendur.

Megjithatë, fusha e stadiumit rezultoi në gjendje optimale.

Nëse qielli mbeti i vrenjtur dhe bubullimat vazhduan të gjëmonin mbi Dortmund, për Nationalmannschaft, që ëndërron një kurorëzimin e katërt evropian më 14 korrik në Berlin, gjithçka duket mirë.

Të paktën deri më 5 korrik./ata