Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, mori pjesë në ceremoninë e prezantimit të projektit të kampusit të Akademisë së Futbollit Manchester City si edhe në ekspozimin e trofeve të Manchester City “Treble Trophy Tour” në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) në Kryeministri.
Në ceremoninë e zhvilluar në ambientet e Kryeministrisë, ku u shfaqën pesë trofetë e Machester City, të fituara në sezonin futbollistik 2022-2023, merrnin pjesë Kryeministri Edi Rama, ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, kryetarja e bashkisë së Durrësit, drejtues të Manchester City, sportistë e të ftuar nga bota e sportit.
Ky aktivitet u organizua nga “Dyrrah City Football Academy” në bashkëpunim me Manchester City FC, por edhe me mbështetjen e FSHF-së, që do të ndërtojnë në qytetin e Durrësit një nga kampuset sportive më të mira në Shqipëri, por që gjithashtu kanë sjellë në vendin tonë edhe trofetë e fituara në sezonin e kaluar nga klubi anglez, si Premier League, Champions League, FA Cup, UEFA Super Cup dhe FIFA Club World Cup.
Gjatë fjalës përshëndetëse në këtë aktivitet, Duka tha se suksesi i Manchester City-t është dëshmi e një pune shumëvjeçare. Kreu i qeverisë shqiptare të futbollit falënderoi të gjithë bashkëpunëtorët që do të bëjnë të mundur realizimin e projektit të kampusit të Akademisë së Futbollit të Manchester City-t në Durrës dhe shtoi se zhvillimi i futbollit të fëmijëve është një prioritet i FSHF-së. Gjithashtu, Duka bëri thirrje edhe njëherë për ligjin e sponsorizimit, që ende nuk është aplikuar në vendin tonë./ata