Administrata Tatimore sjell në vëmendjen e tatimpaguesve detyrimin për deklarimin e saktë të pagave për punonjësit.

 

Sipas DPT-së, nga analiza janë konstatuar 2 fenomene me risk të lartë, tatimpagues, që bëjnë ndryshime me ulje të deklaratës së listëpagesës, me qëllim shmangien e pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për punëmarrësit, si dhe tatimpagues, që anulojnë faturat e deklaruara të shitjes, pa u reflektuar këto anulime në Librat e Blerjes së klientëve të tyre.

 

“I bëjmë me dije të gjithë tatimpaguesit se këto ndryshime të pajustifikuara të deklaratave, kryesisht ndryshimi i deklaratës së listëpagesës, cenojnë drejtpërdrejt jo vetëm Administratën Tatimore, por edhe Pensionin dhe Shërbimet Mjekësore të punëmarrësit dhe në bazë të ligjit konsiderohet vepër penale”, sqaron Administrata Tatimore.

 

Administrata Tatimore thekson gjithashtu se, po investigon nëse të përfshirë në këto fenomene janë edhe punonjës të strukturave të saj, ndërsa sjell në vëmendje të tyre dhe të çdo tatimpaguesi që fenomenet e sipërcituara do të trajtohen sipas ligjit “Për Procedurat Tatimore”, thuhet në deklaratën për shtyp të DPT-së.

 

“Kush ndryshon me ulje deklaratën e listëpagesës dhe anulon faturat e shitjes pa u reflektuar ne librat e blerjes do të ndiqet penalisht”, deklaron DPT./ATSH