Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë po mbështet zhvillimin e projekteve për rritjen e kapaciteteve energjetike përmes diversifikimit të burimeve të rinovueshme.

 

Pas Karavastasë dhe Spitallës, MEI bën të ditur se në muajin qershor të këtij viti do të hapet procesi i radhës konkurrues për kapacitet të instaluar 300 MW (PV), i cili parashikohet të përfundojë në muajin tetor.

 

Duke iu referuar ndryshimeve ligjore në ligjin “Për nxitjen e burimeve të rinovueshme”, MIE sqaron se çdo ofertues duhet të identifikojë dhe të propozojë vendndodhje të përshtatshme për projektimin, financimin, ndërtimin dhe operimin e impianteve fotovoltaike, për një kapacitet të instaluar total deri në 100 MW për ofertues.

 

Projektet e përzgjedhura deri në kapacitetin e instaluar 300 MW do të nënshkruajnë marrëveshje për blerjen e energjisë, për një periudhë 15-vjeçare, me çmimin që ata janë shpallur fitues në procedurën konkurruese.

 

Që nga viti 2019, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) ka përfunduar me sukses dy ankande për parqe fotovoltaike për një kapacitet total prej 240 MW dhe aktualisht po kryen ankandin e parë të erës në tokë me fuqi deri në 150 MW.

 

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë, në raportin e vitit 2022, e shpall Shqipërinë si kampion në realizimin e ankandeve për zhvillimin e energjisë së rinovueshme.