Llogaritjet e administratës tatimore për parapagimin e tatimfitimit të 2024 për profesionet e lira, mbështetur nga deklarimet për 2023, që iu dërgua bizneseve më 11 Prill, kanë shtuar paqartësitë dhe konfuzionin te tatimpaguesit.
Në ligjin e ri “Për tatimin mbi të ardhurat”, parashikohet zbritja e shpenzimeve fikse në masën 30% për të vetëpunësuarit me xhiro vjetore deri në 10 milionë lekë.
Tashmë me llogaritjet për parapagimin e tatimit të thjeshtuar nga administrata tatimore nuk është marrë parasysh zbritja e shpenzimeve 30%, por vetëm shpenzimet e deklaruara nga biznesi.
Ndërkohë shumë subjekte e kishin marrë për të mirëqenë njohjen e 30% të shpenzimeve, siç u deklarua në fund të vitit të kaluar me miratimin e ligjit dhe udhëzimeve.
Shumë biznese të shërbimeve profesionale kanë më shumë punë mendore dhe si rrjedhojë nuk kanë shpenzime të zbritshme, ndaj e kishin “fjetur mendjen” te përqindja e shpenzimeve e njohur me ligj, siç ishin orientuar dhe nga ekonomistët e tyre.
Por, në njoftimin e vlerësimit të drejtorive rajonale të tatimeve dërguar bizneseve rezulton se shkalla tatimore 15% për tatimin mbi fitimin është llogaritur në bazë të ardhurave, shpenzimeve dhe fitimit të deklaruar nga vetë subjektet për 2023 që u përfshinë në regjimin e ri, më parë të përjashtuara nga taksimi.
“E kanë llogaritur tatimfitimin për shpenzimet faktike të deklaruara vjet. Nuk është marrë në konsideratë zbritja 30% e shpenzimeve fikse. Kjo situatë do të krijojë lum ankesash nga bizneset ndaj administratës tatimore”, pohon kontabilisti Sotiraq Dhamo.
Si rrjedhojë për shumë profesionistë, këstet e tatimit kanë rezultuar të larta. Psh, një rast i një avokati, që ka deklaruar 2.25 milionë lekë të ardhura për vitin 2023, këstet e tatimit për 9 muaj (nga prilli në dhjetor) i erdhën 37.5 mijë lekë në muaj, ose 337 mijë lekë për 9 muaj (450 mijë lekë për gjithë vitin).
Norma efektive vjetore e tatimit për biznesin në fjalë arrin në 19%. Nëse do të ishte bërë zbritja e shpenzimeve prej 30%, avokati do të kishte paguar rreth 30% më pak.
Zbritja e shpenzimeve të bizneseve do të bëhen vetëm në fund të 2024 dhe do kompensohet në tatimin që do paguhet në 2025
Në janar të këtij viti, pasi nuk u arrit të bëhej gati formulari i ri i deklarimit të të ardhurave, qeveria miratoi një akt normativ në ligjin e ri “Për tatimin mbi të ardhurat” i cili përcakton se deklarimi i të ardhurave do të bëhet sipas modelit të formularëve të vjetër, pra atyre ekzistues, por sipas normave të reja tatimore që nisin zbatimin nga 1 janari 2024 me të vetëpunësuarit e profesioneve të lira.
Si rrjedhojë, deklarimi i të ardhurave do të bëhet sipas modelit të formularëve të vjetër, pra atyre ekzistues, por sipas normave të reja tatimore që nisin zbatimin nga 1 janari 2024 me të vetëpunësuarit e profesioneve të lira.
Zbritja e shpenzimeve fikse nuk parashikohet në formularët e vjetër të deklarimit, mbi të cilin është përllogaritur parapagimi i tatimit. Burime nga DPT sqaruan për Monitor se zbritja e tyre do të bëhet në bazë të aplikimeve të bizneseve të profesioneve të lira në fund të vitit 2024, pas plotësimit të formularit për zgjedhjen e regjimit të veçantë.
“Për të vetëpunësuarit pa TVSH me xhiro vjetore deri 10 milionë lekë që do të zgjedhin regjimin e veçantë të njohjes së shpenzimeve fikse 30% (ku përfshin të ardhurat vjetore nga paga minimale, qiraja, drita, ujë etj) do të duhet të plotësojnë në fund të vitit formularin që kanë zgjedhur regjimin e veçantë të njohjes së shpenzimeve.
Më datë 31 mars 2025 bizneset do të deklarojnë nëpërmjet formularëve të rinj deklaratën e të ardhurave dhe shpenzimeve për vitin 2024. Në bazë të fitimit që do të dalë për vitin 2024, krahasuar me paradhëniet që ka paguar gjatë vitit nëse është më tepër shteti të kompenson ose ta njeh si fitim të paguar. Nëse fitimi i parapaguar është më pak, biznesi do të paguajë pjesën e mbetur”.
Deklarimi i të ardhurave dhe shpenzimeve për llogaritjen e parapagimit të tatimit për 2024 nga bizneset u bë sipas modelit të formularëve ekzistues. Në dhjetor 2023, pak javë para hyrjes në fuqi të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat” qeveria miratoi Aktin Normativ për ndryshimin e tij.
Akti Normativ përcaktoi se deklarimi i të ardhurave do të bëhet sipas modelit të formularëve të vjetër, pra atyre ekzistues, por sipas normave të reja tatimore që nisin zbatimin nga 1 janari 2024 me të vetëpunësuarit e profesioneve të lira.
Ndërkohë mbetet e paqartë se në rast se një subjekt vendos që të mbyllë aktivitetin në 2025, si do të kompensohet për tatimin që ka paguar tepër si rrjedhojë e moszbritjes së shpenzimeve.
Kontabilistët dhe bizneset paralajmëruan se ndryshimet do të çorodisin më tepër biznesin në zbatimin e ligjit dhe ngarkonin me kosto shtesë. Në atë kohë edhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë pranoi se ndryshim i ligjit për përdorimin e formularëve të vjetër të deklarimit të të ardhurave, shpenzimeve dhe fitimit erdhi nga mosarritje e publikimit të modelit të ri të formularëve.
Sakaq për këtë situatë deri tani Drejtoria e Përgjithshme Tatimore ka sqaruar vetëm përllogaritjet e kësteve të parapagimit bazuar mbi deklarimet e bizneseve për fitimin 2023, pa shpjeguar zbatimin e procedurës së parashikuar në ligj për zgjedhjen e regjimit të veçantë të njohjes së shpenzimeve.
“Përllogaritja e kësteve paraprake për vitin 2024 për të gjithë tatimpaguesit e regjistruar përpara datës 31.12.2023, bazohet mbi fitimin e vetëdeklaruar nga tatimpaguesit në deklaratën tatimore vjetore 23-A, për Tatim mbi Fitimin (me afat deri 31 mars 2024) apo Tatim të Thjeshtuar mbi Fitimin (me afat deri 10 shkurt 2024). Vlera e përllogaritur është ndarë për periudhën e mbetur Prill-Dhjetor 2024, në 9 këste.
– Për tatimpaguesit me status ligjor Person Fizik, llogaritja e parapagimeve është kryer me normat progresive: 15% deri në masën e fitimit 14 milion lekë dhe 23% për çdo vlerë të fitimit mbi 14 milion lekë.
– Për tatimpaguesit me status të ndryshëm ligjor nga person fizik, pavarësisht përgjegjësisë së tyre tatimore, llogaritja e parapagimeve kryhet me normën 15% mbi fitimin.
– Për tatimpaguesit, që gjatë vitit 2023 kanë qenë të regjistruar pjesërisht si me Tatim të Thjeshtuar mbi Fitimin, ashtu edhe me Tatimin mbi Fitimin, përllogaritja do të kryhet mbi totalin e fitimit të vetëdeklaruar në 2 deklaratat respektive dhe tatimpaguesit do të njoftohen në llogarinë e tyre në e-Filing, në lidhje me këstet paraprake”, sqaruan dje tatimet.
Në total sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë në regjimin e ri tatimor do të përfshihen deri 29 mijë biznese të profesioneve të lira. MFE llogarit se deri 90% e totalit të bizneseve (të ndarë sipas 3 kategorive, si: vetëpunësuarit, personat fizikë dhe tregtar) përfshihen në fashën e ardhurave vjetore deri 14 milionë lekë në vit që do të tatohen me normë 15%.
Lista për profesionet e lira e botuar në Fletoren Zyrtare është e ndarë në 26 lloje aktivitetesh, të ndara në 180 profesione sipas llojit të aktivitetit.
Bizneset po shprespojnë që ligji i ri për tatimin mbi të ardhurat të rrëzohet nga Gjykata Kushtetuese. Në fund të marsit, kontabilistët kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese ankimimin për rrëzimin e tij, pasi krijon pabarazi mes tatimpaguesve. Ankimi u depozitua në Gjykatën Kushtetuese nga Instituti i Kontabilistëve të Miratuar (IKM) dhe Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA). Pretendimet në lidhje me shkeljet kushtetuese janë:
Cenimi i parimit të barazisë para ligjit;
Shkelja e të drejtës themelore të lirisë së veprimtarisë ekonomike dhe të profesionit;
Cenimi i parimit të shtetit të së drejtës dhe sigurisë juridike;
Cenimi i parimit të rezervës ligjore në fushën tatimore dhe hierarkisë së normave.
Edhe avokatët po organizohen në rrjete sociale për të çuar ankesën për ligjin në Gjykatën Kushtetuese./Monitor