Qendra Kulturore e Fëmijëve në Durrës është transformuar falë projektit të bashkisë, nga një hapësirë e vjetër dhe e amortizuar në një qendër të denjë, me hapësira moderne e miqësore për rreth 1 000 fëmijë që frekuentojnë qendrën, të grupmoshës nga 6 deri në 15 vjeç.

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako vizitoi sot nga afër mjediset e reja të kësaj qendre.

Rama tha se në Qendra e rilindur Kulturore e Fëmijëve është një hapësirë miqësore për rreth 1 mijë fëmijë, të cilët mësojnë art, teknologji dhe sportet e tavolinës, duke u përfshirë në kurse pikture, kërcimi, muzike, matematike, kompjuteri, gjuhësh të huaja, klasa shahu e skuadra pingpongu.

Kryebashkiakja Sako tha se “kjo qendër ka qenë prej disa vitesh e amortizuar, por edhe tërmeti i 2019 dëmtoi disa pjesë të saj. Më tej vendosëm me buxhetin e bashkisë të bëjmë një ndërhyrje. Është një objekt i cili është ndërtuar pjesërisht në vitet 30 gjatë kohës që është ndërtuar Banka e Shqipërisë dhe pjesa tjetër në vitet 70, pra janë bashkuar dy godina”.

“Gjatë pjesës së rikonstruksionit u përpoqëm që ato elementë, të cilët ishin të objektit të vjetër të dilnin në pah për të treguar kështu dhe rrugën apo kohën në të cilën është jetuar kjo godinë. Godina ka 2 mijë metra katrorë, është qendër artistike, por përgatiten edhe për olimpiada të ndryshme kryesisht në matematikë. Ka sallë baleti, të valleve tradicionale, kurse pikture, të gjuhëve të huaja etj.”, tha Sako.

Kryebashkiakja Sako bëri të ditur se “nga kjo qendër kanë dalë fëmijë të talentuar, dy vitet e fundit jemi përfaqësuar në Eurosong me fëmijë nga kjo qendër”.

Këtë vit, tha Sako, në korrik baritoni Gëzim Myshketa, i cili ka themeluar “Akademinë e Operës në Durrës”, do të organizojë një masterclass.

“Jemi në përfundim të skenës që të bëjmë përurimin brenda një muaji”, tha Sako.

Sako u shpreh se “kati që është poshtë që ka vetëm aksesin nga rruga, e kemi parashikuar që të jetë një galeri pikture kryesisht për fëmijët dhe kemi menduar t’i vendosim emrin e piktorit Ibrahim Kodra sepse nuk kemi institucione që mbajnë emrin e tij. Kemi dhe tarracën që për hapësirën që ka, do të shfrytëzohen për aktivitete të ndryshme gjatë pranverës dhe vjeshtës”.

Rikonstruksioni i qendrës ka sjellë edhe rikonceptim të disa ambienteve në qendër, të cilat tanimë presin fëmijët me kushte dinjitoze e moderne./ata