Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Deputetja Socialiste dhe njëherazi drejtuesja politike e Partisë Socialiste në qarkun Shkodër, Elisa Spiropali bëri të ditur të premten se shkolla “Kolë Idromeno” do t’i nënshtrohet rikonstruksionit të plotë.

Spiropali përmes një postimi në rrjetet sociale, tha se Kryeqendra e Veriut ka hyrë në një fazë të re investimesh në institucionet arsimore dhe pritet që rikonstruksionit ti nënshtrohen dhe shkollat e tjera si: “Ndre Mjeda”, “Dëshmorët e Prishtinës”, “Prenk Jakova” dhe “Adem Haxhija”.

“Bashkë me Ogertën dhe Benetin për vizitë në shkollën “Kolë Idromeno”, ku nis puna për rikonstruksionin e saj të plotë”, shkruan Spiropali.

“Shkolla ndodhet në një nga lagjet me densitetin me të madh të popullsisë, dhe falë këtij investimi bashkohor përfitues do të jenë 600 nxënës, të cilët do të mund të zhvillojnë procesin mësimor në kushte dinjitoze, bashkë me mësuesit e tyre të përkushtuar”, vijoi Spiropali.

“Kryeqendra e Veriut ka hyrë në një fazë të re investimesh në institucionet arsimore dhe në sajë të mbështetjes së Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, puna do të vijojë edhe në shkollën “Ndre Mjeda”, “Dëshmorët e Prishtinës”, “Prenk Jakova” dhe “Adem Haxhija””, përfundon Spiropali postimin e saj./ata