Komisioni i Konkurrencës vendosi mbylljen e procedurës së monitorimit të zbatimit të aktmarrëveshjes të lidhur ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Shoqatës “Kombëtare të Autoshkollave”, Shoqatës së Autoshkollave “Siguria në rrugë” dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve”.

Sipas Komisionit të Konkurrencës, vendimi për përfundimin e monitorimit erdhi pasi në treg nuk u aplikua rritja e tarifave sipas akt marrëveshjes, e vlerësuar në kundërshtim me ligjin “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës, vendosi mbylljen e procedurës së monitorimit të zbatimit të aktmarrëveshjes.

Në shkurt të 2023-shit, DPSHTRR, DPT dhe shoqatat e autoshkollave, deklaruan se kishin arritur në një marrëveshje për me qëllimin forcimin e barrierave kryesore kombëtare në luftën ndaj spekulimeve dhe konkurrencës së pandershme dhe rregullimin e tregut të aktivitetit të autoshkollave.

Por, Komisioni i Konkurrencës (CAA) ndaloi zbatimin e marrëveshjes së lidhur ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Shoqatës Kombëtare të Autoshkollave, shoqatës së autoshkollave “Siguria në rrugë” dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, me objekt caktimin e tarifës së pagesës dhe kostos referuese minimale fiskale për përgatitjen dhe pajisjen me leje drejtimi, sipas kategorisë së lejedrejtimit, dëshmisë ose certifikatës.

Komisioni vendosi përveç ndalimit të zbatimit të marrëveshjes edhe monitorimin e tregut të shërbimit të përgatitjes dhe pajisjes me lejedrejtimi, sipas kategorisë së lejedrejtimit, dëshmisë ose certifikatës, për një periudhë 1-vjeçare./ata