Zëvendësguvernatorja e parë Luljeta Minxhozi vlerësoi rolin e Bankës së Shqipërisë për përmirësimin dhe modernizimin e sistemit të pagesave të vendit, duke kontribuar në rritjen e përfshirjes financiare dhe përafrimin me standardet ndërkombëtare.
Gjatë leksionit që mbajti në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” Elbasan, me temë “Zhvillimet e tregut financiar dhe sfidat e edukimit financiar në këndvështrimin e Bankës së Shqipërisë”, ajo theksoi jo vetëm rëndësinë e përfshirjes dhe edukimit financiar, por edhe sfidat dhe rreziqet që vijnë së bashku me inovacionet financiare.
Zëvendësguvernatorja Minxhozi trajtoi në mbështetje të këtyre dy temave, edukimit dhe përfshirjes financiare, risitë që sjell ligji “Për Shërbimet e Pagesave” dhe përfshirja e Shqipërisë në marrëveshjen SEPA (Zona e Vetme e Pagesave në Euro). Ligji ka për objektiv të reformojë dhe modernizojë sistemin e pagesave në Shqipëri, duke përfshirë një sërë veprimtarish që lejojnë përdorimin më të gjerë të pagesave elektronike dhe duke nxitur konkurrencën në treg.
Në fund të fjalës së saj, zëvendësguvernatorja Minxhozi i njohu pjesëmarrësit me Strategjinë e Bankës së Shqipërisë për Edukimin dhe Përfshirjen Financiare (2024-2026). Nëpërmjet rritjes së kulturës dhe edukimit financiar, qytetarët bëhen më të aftë për të përdorur dhe përfituar nga inovacionet dhe shërbimet e reja financiare që ofron tregu./ata