Open Data Albania ka publikuar listën me bizneset më të paguara përmes transaksioneve të Thesarit gjatë 12 muajve të vitit 2023. Për të dytin vit me radhë kompania që ndërton Tunelin e Llogarasë është ajo që ka marrë vlerën më të lartë të pagesave të Thesarit. Për shoqërinë e Thjeshtë INTEKAR – ASL, Thesari ka regjistruar dhe ekzekutuar 14 transaksione me vlerë totale 8.27 miliardë lekë, përafërsisht 80.3 milionë euro. Shoqëria e Thjeshtë Intekar – Asl është zbatuesi i punimeve për Projektin “Ndërtimi i Tunelit të Llogarasë”. Vlera totale e kontratës së ndërtimit të Tunelit të Llogarasë pa TVSH është 17.04 miliardë lekë.
Në vend të dytë pozicionohet Kastrati SHPK i cili ka përfituar përmes Thesarit të Shtetit vlerën prej 4.28 miliardë lekë, apo mbi 41.5 milionë euro nëpërmjet 934 transaksioneve. Arkëtimet e Kastrati sh.p.k nga buxheti i shtetit janë kryer për furnizim me karburant dhe vaj dhe këto janë arkëtime të ndryshme nga grupi me të njëjtin emër dhe zotërues.
4 A-M renditet e treta me 3.48 miliardë lekë të përfituara nga Thesari i Shtetit për vitin 2023. Kjo shoqëri ka aktivitet kontraktor konsistent në punë publike me autoritetet shqiptare. Në vitin 2023 kompania ka fituar 6 punë publike me ofertë totale fituese 5.37 miliardë lekë.
Vendi i katërt i përket shoqërisë Gjoka 87, e cila zbaton kontratën koncesionare për ndërtimin dhe operimin e Rrugës së Arbrit. Gjatë 12 muajve të vitit 2023, për shoqërinë Gjoka 87 janë bërë në total 4 transaksione me vlerë 2.84 miliardë lekë.
Fusha sh.p.k është biznesi që mbyll listën me pesë përfituesit më të mëdhenj nga Thesari i Shtetit për vitin 2023. Këtë vit shoqëria ka shënuar 132 transaksione në vlerën 2.71 miliardë lekë. Shoqëria rendit në pasaportën e saj një listë të gjatë kontratash publike me autoritetet shqiptare, si dhe aksione në katër shoqëri koncesionare.
Pesë operatorët ekonomik më të paguar nga Thesari i Shtetit për vitit 2023, arkëtojnë 63.7% të vlerës totale Transaksione Thesari për 10 përfituesit më të mëdhenj, në vlerë 21.59 miliardë lekë.
Në vend të gjashtë renditet shoqëria Gjikuria. Në pasaportën e kompanisë ka një listë të gjatë kontratash publike me institucione të qeverisjes vendore dhe lokale, si dhe zotëruese e shoqërisë që zbaton kontratën koncesionare të ndërtimit të projektit të rrugës rrugës “Porti i Jahteve – ByPass Orikum – Dukat (Ura e Shën Elizës)”. Për vitin 2023 shoqëria ka përfituar 42 transaksione me vlerë 2.69 miliardë lekë.
Infosoft Systems renditet kompania e 7-të sipas vlerës Transaksione Thesari 2023 me vlerë të arkëtuar 2.53 miliardë lekë. Transaksionet e kryera në favor të kompanisë janë për arsye mirëmbajtje e sistemeve kompjuterike dhe investime në softëare.
Vendi i tetë në renditje i takon Trans Adriatic Pipeline AG Albania, e cila zbaton në vendin tonë projektin TAP të Gazsjellësit Trans Adriatik. Kompania ka arkëtuar për vitin 2023 dy transferta në vlerën 2.47 miliardë lekë si rimbursim TVSH-je.
Në vend të nëntë renditet G. P. G. Company, e cila ka përfituar për vitin 2023 transferta në vlerën 2.31 miliard lekë. Me një portofol të gjerë punësh publike në pasaportën e saj, kjo kompani gjithashtu rezulton aksionare në dy koncesione të Sektorit të Energjisë, Vepra Hidrike.
Mbyll dhjetëshen e kompanive që kanë përfituar më shumë vlerë parash publike nga Thesari i Shtetit 2023 shoqëria MSSC (Military System Supply Company). Kjo shoqëri për vitin 2023 ka regjistruar dhe arkëtuar 32 transaksione me vlerë gati 2.3 miliardë lekë. Arsyet e pagesave për këtë shoqëri janë kompletim me armatim dhe furnizim me municione.
Në vitin 2023 janë regjistruar gjithsej 282 103 transaksione me vlerë totale 600.96 miliardë lekë apo mbi 5.8 miliardë euro nga institucionet buxhetore.
Në hulumtim e bërë nga Open Data janë përjashtuar pagesat me përfitues institucione shtetërore, apo pagesa drejt bankave të nivelit të dytë. Po njësoj është përjashtuar dhe ajo kategori transaksioni që përkon me transfertë për shoqëri me zotërim publik./GazetaDita