Ministrja e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural, Anila Denaj, mori pjesë në aktivitetin “Kultivojmë të ardhmen”, i organizuar në kuadër të “Javës së
Italisë” nga Ambasada Italiane në bashkëpunim me Agjencinë Italiane të Bashkëpunimit për Zhvillim (AICS-Tirana) dhe CIHEAM Bari, ku u theksua bashkëpunimi mes dy vendeve në fushën e bujqësisë, zhvillimit rural dhe sigurisë ushqimore.
Denaj vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit Itali-Shqipëri në sektorin e bujqësisë me synim vendosjen e mirëqenies, agroekologjinë dhe inovacionin në favor të sistemeve të qëndrueshme agroushqimore në Shqipëri, si një model referimi për Ballkanin
Perëndimor.
“Siguria ushqimore nuk është vetëm një shërbim, siguria ushqimore është
kthyer në një mision ku çdo investim, kontribut nga ekspertët dhe çdo
shpenzim buxhetor në përmirësimin e infrastrukturës, rritjen e njohurive,
investimet në teknologji dhe inovacion, ndikojnë drejtpërdrejtë në
garancinë për produkte cilësore të sigurta dhe në rritjen e vlerës për
produktet shqiptare”, theksoi ajo.
Ndërsa ambasadori italian në Shqipëri Fabrizio Bucci vlerësoi potenciale e mëdha të Shqipërisë në fushën e bujqësisë së qëndrueshme, ndërsa deklaroi se mund të zhvillojmë së bashku zinxhirin agroushqimor për të zhvilluar prodhimin bujqësor në partneritet.
“Mund të arrihen rezultate më të mira kur pjesëza të ndryshme vendosen së bashku, qeveria, institucionet shtetërore, agjensitë, bujqit, dhe sipërmarrjet. Sot ne do të tregojmë, se si ajo cfarë bëjmë konkretisht do të jetë e prekshme, së bashku me miken tonë Anila, me të cilën po punojmë shumë mirë prej një viti me Agjensinë Italiane të Bashkëpunimit për Zhvillim”, tha Bucci.
Gjatë eventit u mbajt dhe ceremonia në kuadër të projektit SAFIAL ”Forcimi institucional i Ministrisë së Bujqesisë dhe Zhvillimit Rural për menaxhimin e Sigurisë Ushqimore”, ku u dorëzuan automjetet e dhuruara nga AICS për MBZHR dhe AKVMB.
Në këtë aktivitet ishin të pranishëm aktorë kyç të bashkëpunimit ItaloShqiptar në sektorin e bujqësisë, si Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci, Drejtori i Përgjithshëm i AICS-Tirana, Stefania Vizzaccaro, Drejtori i Përgjithshëm i CIHEAM Bari, Maurizio Raeli, dhe
Drejtori i Institutit Italian të Tregtisë me Jashtë (ICE/ITA), Francesca Mondello, si dhe përfaqësues nga AKU, ISUV, dhe AKVMB si institucione përfituese nga projektet e zbatuara nga AICS/CIHEAM Bari./ata