Një takim në Stamboll i kreut të Byrosë Politike të Hamasit, Ismail Haniya, me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan ka zgjatur rreth dy orë e gjysmë.

Në takimin, i cili u zhvillua në oborret e Dolmabahçes, ishte i pranishëm edhe Khaled Mashal, një figurë e fuqishme e Hamasit dhe negociator kyç për pengjet.

Takimi erdhi nën hijen e njoftimit të Katarit se po rishikonte qëndrimin e tij për rolin e tij ndërmjetësues në luftën e Gazës dhe pasi Hamasi thuhet se po kërkon një seli të re.

Pas takimit, Drejtoria e Komunikimit e Presidencës Turke ka lëshuar një deklaratë në të cilën thuhet:

“Gjatë takimit u diskutuan çështjet në lidhje me sulmet izraelite në territoret palestineze, veçanërisht në Gaza, me veprime për të siguruar dërgimin e duhur dhe të pandërprerë të ndihmave humanitare në Gaza, si dhe çështjet që lidhen me një proces paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme në zonë.

Gjatë takimit, presidenti Erdogan deklaroi se Turqia vazhdon përpjekjet e saj diplomatike për të tërhequr vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar ndaj shtypjes së palestinezëve dhe thekson në çdo rast nevojën për t’i dhënë fund mizorive si dhe zbatimin urgjent të një armëpushimi të përhershëm.

Presidenti Erdogan deklaroi se Izraeli do të paguajë patjetër çmimin për shtypjen e palestinezëve një ditë, se Turqia do të vazhdojë të flasë për masakrat në Gaza në të gjitha forumet dhe se po bëhen të gjitha përpjekjet për të krijuar një shtet të pavarur palestinez, i cili është kyç për paqen rajonale dhe për vendosjen e qetësisë së përhershme në rajon.

Presidenti Erdogan deklaroi se është jetike që palestinezët të veprojnë të bashkuar në këtë proces, se përgjigja më e fortë që duhet t’i jepet Izraelit dhe rruga drejt fitores është nëpërmjet unitetit dhe solidaritetit dhe se realitetet dhe lufta e drejtë e Palestinës kundër Izraelit, teksa ky shtet mashtron opinionin publik ndërkombëtar, duhet të shpjegohen më shumë.

Gjatë takimit, presidenti Erdogan deklaroi gjithashtu se Turqia vazhdon të ofrojë ndihma humanitare për Palestinën për të zbutur deri diku vuajtjet, se deri më tani janë dërguar më shumë se 45 mijë tonë ndihma humanitare në rajon dhe se një sërë sanksionesh janë ndërmarrë kundër Izraelit, duke përfshirë kufizimet tregtare”.

Është ky pra i pari sinjal se Turqia po merr rol qëndror si “kujdestar” i Hamasit dhe Gazës në negociatat ndërkombëtare. /tesheshi.com/