Izraeli rrezikon të humbasë mbështetjen e aleatëve tradicionalë dhe perceptimin e pathyeshmërisë, paralajmëroi e përditshmja greke "Kathimerini" të mërkurën, ndërsa të vrarët rriten në radhët e ushtrisë izraelite dhe popullatës civile në Rripin e Gazës.

Alexis Papachelas, redaktori ekzekutiv i gazetës "Kathimerini", e cila tradicionalisht njihet si pro-izraelite dhe pro-amerikane, theksoi se imazhi i Izraelit i ndërtuar me kujdes, i cili shërbeu si një mburojë për fqinjët e tij arabë dhe formoi "një brend global sinonim të aftësive të pakrahasueshme të sigurisë", u dëmtua rëndë më 7 tetor.

"Sepse goditja nuk erdhi nga një vend i madh si Irani, por nga Hamasi", tha ai. Papachelas theksoi se vrasja e 3 pengjeve izraelite nga forcat izraelite në Gaza pasi ata ikën nga kapja e Hamasit, edhe më shumë e rëndon situatën.

Duke vënë në dukje sulmin e papritur të ushtrisë egjiptiane ndaj Izraelit më 7 tetor 1973 dhe vrasjen e një njeriu të pafajshëm nga Mossad-i në Norvegji në të njëjtin vit, ai tha: "Dallimi i dukshëm tani është ndarja e paprecedentë brenda Izraelit si dhe fakti që më parë liderët kishin përjetuar lindjen e zhurmshme të shtetit të tyre".

Papachelas tërhoqi vëmendjen për viktimat në rritje të civilëve dhe përkeqësimin e shpejtë dhe të rëndë të situatës humanitare në Gaza. Ai potencon se Izraeli po humbet betejën e opinionit publik global.

"Në aspektin ndërkombëtar lind një dyshim i arsyeshëm se kryeministri Benjamin Netanyahu dhe udhëheqja izraelite nuk dëshirojnë të shohin një zgjidhje të bazuar në krijimin e shtetit të pavarur palestinez", tha Papachelas.

"Izraeli po humbet mbështetjen e publikut dhe të establishmentit politik në SHBA, siç po ndryshon edhe disponimi në Evropë. Megjithë këmbënguljen e udhëheqjes për doktrinën se duhet bërë atë që është e nevojshme pavarësisht nga mendimet e miqve, Izraeli duhet të shqetësohet", tha ai.

Sulmet izraelite në Rripin e Gazës filluan menjëherë pas sulmit të Hamasit më 7 tetor, duke vrarë më shumë se 20 mijë palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë dhe duke plagosur 52.586, sipas autoriteteve shëndetësore në enklavë.

Sulmi izraelit e ka kthyer Gazën në gërmadha me gjysmën e banesave të territorit bregdetar të dëmtuara ose të shkatërruara, dhe gati 2 milionë njerëz të zhvendosur brenda enklavës me popullsi të dendur mes mungesës së ushqimit dhe ujit të pastër./aa