Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro dhe ambasadorja e Francës në Tiranë, Catherine Suard vizituan sot agroturizëm “Fuçitë” (The Barrels) në Valare të Lunxhërisë.

“Kënaqësi të takonim Marselin, të cilin dashuria për tokën e frymëzoi të krijonte sipërfaqe me vreshta, mollë e produkte të tjera që sot ua servir në tryezë vizitorëve nga gjithë bota në oazin e tij të thjeshtë të mikpritjes, por me një cilësi që s’ka të paguar bashkë me sajdisjen me fjalët frëngjisht që ka mësuar”, u shpreh Kumbaro.

Kjo pikë agroturistike e ka nisur aktivitetin me kultivimin e vreshtarisë, 16 vjet më parë, me varietetet e rrushit autokton.

Sipërmarrësi Marsel Sula, falë edhe mbështetjes nga qeveria, ka ngritur një pikë agroturistike ku përveç peizazhit dhe qetësisë ofrohet verë me rrush të varietetit autokton dhe ushqim bio.

Agroturizmi me një klik është aplikacioni i ri “AgroTime AL”, një guidë online për të gjithë ata që duan të vizitojnë fermat turistike, të shijojnë produktet lokale, gatimet tradicionale dhe eksperiencën e posaçme që të ofron fshati përmes kësaj dege të re në zhvillim të turizmit shqiptar./ata