Instituti i Sigurimeve Shoqërore zhvilloi analizën vjetore e punës së këtij institucioni për vitin 2023, ku mori pjesë edhe zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani dhe kreu i institucionit Astrit Hado.
 
Gjatë fjalës së saj, Manjani vuri theksin tek përmirësimi i mëtejshëm i performancës financiare, qëndrueshmëria e skemës së sigurimeve shoqërore, si dhe tek aplikimi i zgjidhjeve novatore, që do të përmirësonin ndjeshëm ofrimin e shërbimeve për qytetarët.
 
Sipas saj, reforma e pagave, që po vijon të ndërmerret nga qeveria shqiptare, ka dhënë efekte në përmirësimin e ndjeshëm të qëndrueshmërisë financiare të skemës së pensioneve.
 
Sipas të dhënave të ISHSH-së, për herë të parë deficiti i skemës zbriti poshtë 1% të PBB-së edhe në vlerë absolute. Nga ana tjetër edhe numri i kontribuesve u rrit me 3.6% ose me 27,521 persona, në krahasim me vitin 2022./ata