Klubi i futbollit Tirana ka dalë zyrtarisht në ankand për 66% të aksioneve që i ka në pronësi Refik Halili.

Top Channel ka siguruar vendimin e përmbaruesit privat, i cili ka njoftuar shpalljen e ankandit për blerjen e këtyre aksioneve.

Sipas këtij dokumenti, shoqëria “Halili” i ka një detyrim prej 1.5 milionë euro Darlin Prezës, trashëgimtar i një testamenti ligjor.

Ky detyrim është konfirmuar edhe me dy vendime gjykate të shkallës së parë dhe të dytë në vitet 2015 dhe 2017.

“Detyrimin e palës së paditur shoqërisë “Halili” të paguajë në favor të paditësit Abedin Treza (Preza) shumën prej 1.541.835 euro si dhe detyrimin e palës së paditur të paguajë kamatat ligjore mbi këtë shumë nga data e paraqitjes së padisë dhe në vazhdim deri në datën e ekzekutimit të vendimit.

Në vendimin e ankandit thuhet se secili ofertues duhet të depozitojë garanci shumën prej 10% të çmimit fillestar, ndërkohë që ankandi është hapur në 18 prill dhe do të qëndrojë i hapur deri ditën e sotme.

Përveç 66% të aksioneve që janë në pronësi të biznesmenit Refik Halili, pjesa tjetër prej 34% është në pronësi të Bashkisë së Tiranës./TopChannel