Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj zhvilloi sot një takim me përfaqësues të sektorit bankar dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për të diskutuar instrumente të reja për mbështetjen e këtij sektori.

Duke e cilësuar bujqësinë si fushë prioritare të qeverisë për t’u zhvilluar Ibrahimaj theksoi rëndësinë e identifikimit të instrumenteve të financimit të fermerëve dhe prodhuesve për investime.

“Për të gjetur skema akoma më të përshtatshme për rritjen e financimit në bujqësi, kemi nisur diskutimet me aktorët që kreditojnë sektorin bujqësor. Bashkë me përfaqësuesit e sektorit bankar dhe zv.ministrin e Bujqësisë Enio Civici, u përpoqëm të identifikojmë instrumentet dhe elementët e financimit për të mbështetur fermerët dhe prodhuesit bujqësor, për të nxitur investimet në këtë sektor të rëndësishëm”, u shpreh Ibrahimaj.

Qeveria ka miratuar Skemën Kombëtare të Bujqësisë për vitin 2024, me 8 masa mbështetëse me një vlerë prej 3.4 miliardë lekësh, përmes së cilës pritet të marrin mbështetje direkte mbi 70 mijë fermerë.

Krahas fondeve për mbështetje direkte të fermerëve përmes programeve kombëtare të zhvillimit qeveria në këto 10 vite ka rehabilituar gati 100 km argjinatura, janë rehabilituar rezervuare, janë rehabilituar gjithë infrastruktura e ujitje-kullimit, me një total vlere gati 259 milionë euro./ata