Banka e Shqipërisë vëren se, kursi i këmbimit valutor në vendin tonë po shfaq forcim të pozitave të lekut ndaj monedhave të huaja, që është i lidhur drejtpërdrejt me faktorë sezonalë.

 

Guvernatori i BSH, Gent Sejko u shpreh për mediet se, kursi i këmbimit po vjen si rrjedhojë e përmirësimit të aktivitetit ekonomik, në këto kushte Banka e Shqipërisë nuk mund të ndërhyjë.

 

“Hyrja e euros në vend po stimulohet nga flukset e turizmit dhe investimet e huaja. Blerjet e pasurive të paluajtshme nga të huajt dhe remitancat. Për rrjedhojë Banka nuk arsye të ndërhyrje në kursin e këmbimit” tha Sejko.

 

Guvernatori bëri të ditur se, javën që vjen do të diskutohet efektet e kursit të këmbimit me bankat tregtare dhe shoqatat e eksportit, për të ndihmuar bankat dhe bizneset nga kreditë e këqija për të shikuar mundësi të ristrukturimit, teksa informoi se, tregu i këmbimit monitorohet çdo ore.

 

“Ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun valutor janë të përcaktuara në rregullore. Ndërhyrjet bëhen në raste të përcaktuara dhe zakonisht kur ka faktorë spekulative,ose në rast të blerjes së valutës për krijimin e rezervës, gjë e cila është e parashikuar në kalendar  paraprakisht. Ne kemi blerë 120 milionë euro në 6 mujorin e parë dhe do të vazhdojmë blerjet”, tha ai.

 

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, 1 euro u këmbye sot me 104.55 lekë, me një rënie prej 0.3 lekësh në raport me ditën e mëparshme.

 

Që nga fillimi i këtij viti euro ka rënë me 11.5 lekë, ose me gati 10%, ndërsa këmbehet me 14.4 lekë (12.1%) më pak se 5 korriku i një viti më parë. Rënia ka qenë më e theksuar duke filluar nga maji./ATSH