Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër, propozoi 3 pikëtakime interesante të monumenteve natyrore, të cilat ia vlen të vizitohen, ndërsa tema e Ditës së Tokës këtë vit ishte me thirrjen për reduktimin e plastikës.

“Këtë vit i jemi bashkuar ndërgjegjësimit në Ditën Ndërkombëtare të Tokës, tematika e së cilës është “Rikthe Tokën Tonë”, shkroi DRTK Shkodër duke shtuar se, në shenjë reflektimi mbi lidhjen tonë me natyrën dhe si vlerësim për bukurinë dhe rëndësinë e tyre kulturore dhe historike, propozonte vizitat tek Çinari i At Shtjefën Gjeçovit, Çinari i Tophanës dhe Çinari i Hoxhë Dheut.

Çinari i At Shtjefën Gjeçovit, themeluesit të koleksionit të parë arkeologjik në trojet shqiptare, është mbjellë nga vetë ai, në oborrin e Kuvendit të Troshanit, në Lezhë dhe është Monument Kulture, Kategoria l.

Çinari i Hoxhë Dheut është monument i rrallë i natyrës, i cili për nga vlerat historike mban statusin Monument Kulture, Kategoria I-rë (1973). Ai ndodhet në një nga lagjet më të vjetra të qytetit të Shkodrës, Zdralej dhe përbëhet nga dru rrapi mbi 200-vjeçar me diametër të trungut 2.5 metër dhe lartësi rreth 30 metër. I njohur me shkurtesën “Çinari”, ai mban emrin e një bamirësi dhe pajtuesi të gjaqeve nga të parët e familjes Hoxha në fund shek-XVIII.

Çinari i Tophanës ndodhet në qytetin e Shkodrës; dru rrapi, mbi 150-vjeçar, që ka qenë pikëtakimi i kuvendeve për banorët. DRTK Shkodër kujton edhe një këngë popullore që thotë: “hajde t’mblidhemi tek Çinari/ me Ndocjan e me Tophanë/ mos ta lajmë na Tarboshin/ i biri i shkjëut t’ua shkelë me kamë”./ata