Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka pritur në takim ambasadorin e Türkiyes,në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, si dhe stafin e komunitetit turk të Kosovës në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) me rastin e 23 Prillit, Ditës Kombëtare të Turqve të Kosovës.

Në këtë takim morën pjesë edhe ministri i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, deputetët e Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit turk në Kosovë, Enis Kervan dhe Fidan Jilta, dhe Atasheu Ushtarak i Republikës së Türkiyes në Kosovë, Çağdaş Akif Kahraman.

Siç njofton Ministria e Mbrojtjes, ministri Maqedonci në shënimin e Ditës Kombëtare të Turqve të Kosovës, tha se komuniteti turk gëzon respekt të veçantë nga Republika e Kosovës, respekt ky i fituar me punën e tyre të ndershme dhe të përkushtuar ndaj institucioneve të vendit.

“Komuniteti turk në Ministri të Mbrojtjes dhe FSK është i përfaqësuar me 58 persona apo shprehur në përqindjen e përgjithshme me 1,23 për qind, dhe si i tillë është në listën e komuniteteve më nivelin më të lartë të përfaqësimit”, theksoi Maqedonci.

Maqedonci tha se rritja e numrit të komuniteteve në FSK, integrimi dhe avancimi i tyre mbetet njëra ndër prioritetet e tij si ministër.

“Jemi të lumtur që kemi marrëdhënie të tilla diplomatike dhe miqësore me Republikën e Türkiyes, dhe mirënjohës për përkrahjen që Türkiye i ka ofruar Kosovës viteve të fundit, veçanërisht në fushën ushtarake që përbën hallkë të rëndësishme të shtetndërtimit tone”, theksoi tutje Maqedonci.

23 prilli në Türkiye përkon edhe me Ditën e Sovranitetit dhe Festën e Fëmijëve./aa