Duka i Sussex-it ka mbërritur në Gjykatën e Lartë, në Londër për një seancë dëgjimore pas akuzave të tij për sjellje të paligjshme nga gazetarët dhe botuesit e “Daily Mail” dhe medieve të tjera, sipas BBC.

 

Princi Harry dhe individë të tjerë kanë paditur gazetën britanike “Associated Newspapers Ltd” (ANL), botuesit e “Daily Mail” dhe “Mail”.

 

Duka, këngëtari Sir Elton John dhe aktoret Sadie Frost dhe Liz Hurley janë ndër individët që pretendojnë mbledhjen e paligjshme të informacionit.

 

Botuesi i ka përshkruar akuzat si “njollosje të pahijshme”.

 

Një seancë paraprake katërditore në Gjykatën e Lartë, në Londër do të nisë sot shqyrtimin e argumenteve ligjore dhe një gjyqtar do të vendosë nëse çështja do të vazhdojë më tej.

 

(ANL) ka paraqitur ofertën për t’i dhënë fund pretendimeve.

 

Në seancë marrin pjesë gjithashtu, bashkëshorti i Sir Elton John, David Furnish, dhe Doreen Lawrence, nëna e Stephen Lawrence, i cili u vra në një sulm racist në 1993.

 

Padia u paraqit vitin e kaluar pasi u grumbulluan prova bindëse se ata kishin qenë viktima të veprimtarisë kriminale të neveritshme dhe shkeljeve të rënda të privatësisë nga (ANL), sipas një deklarate të kompanisë ligjore “Hamlins” e lëshuar në tetor te vitit 2022.

 

Sipas “Hamlins”, e cila përfaqëson princin Harry dhe Frost, aktiviteti i (ANL) përfshinte:

 

Punësimin e hetuesve privatë për të vendosur fshehurazi pajisje dëgjimi brenda makinave dhe shtëpive të këtyre personave;

Vënien në punë të individëve për të dëgjuar dhe regjistruar në mënyrë të fshehtë thirrjet telefonike të drejtpërdrejta dhe private të personave gjatë kohës që ato ishin duke u zhvilluar;

Kryerjen e pagesave ndaj zyrtarëve të policisë, me lidhje korruptive me hetuesit privatë, për informacione të ndjeshme të brendshme;

Shtirjen si individë të tjerë për të marrë informacion mjekësor nga spitalet private, klinikat dhe qendrat e trajtimit me mashtrim;

Qasjen në llogari bankare, histori krediti dhe transaksione financiare nëpërmjet mjeteve dhe manipulimeve të paligjshme.