Turizmi po stimulon rritjen e importeve por jo prodhimin vendas.

- Advertisement -

Teksa industria po përgatitet për fazën kulmore të saj, e cila përkon me stinën e verës, të dhënat mbi tregtinë e jashtme tregojnë se importet e mallrave që lidhen me aktivitete kryesore të operatorëve, janë rritur.

Kështu, importet e çadrave u rritën 61% nga janari në mars, krahasuar me të njejtën periudhë të vitit të kaluar.

Rritje shënuan dhe importet e mjeteve të vogla të lundrimit, si varka dhe anije të vogla, blerjet e të cilave për vendin tonë janë rritur me 79% në tremujorin e parë të vitit.

 

Produktet dekorative, të përpunuara me kashtë, dyshek, mobilie, krevate u rritën përkatësisht me 15 dhe 45%.

Por teksa këto produkte mund të mos kenë një industri të zhvilluar vendase për të plotësuar kërkesën e cila është më shumë se dyfishuar, rritje të importeve kanë shënuar edhe produktet ushqimore.

Të dhënat për tremujorin e parë tregojnë për një rritje prej 22% të ushqimeve të importuara, si dhe 60% për zarzavatet dhe frutet.

Cikli i blerjeve të produkteve bazë jashtë vendit, për ekspertët, dëshmon një dështim të zinxhirit prodhues për ekonominë vendase, ku fitimet e korrura nga turizmi, shkojnë për shpenzime për produkte jashtë vendit.

Në vend që fitimet të përdoren për të stimuluar ekonominë dhe prodhimin vendas, ato në fakt kontribojnë për rëndesën që bizneset prodhuese po hasin vitet e fundit.

Shifrat tregojnë se eksportet e mallrave në vlerë pësuan rënie me 21% në tremujorin e parë të vitit.

Të dhënat tregojnë se pararlel me shtimin e turizmit, valuta e huaj kryesore në vend euro, ka pësuar një zhvlerësim të ndjeshëm dhe të shpejtë kundrejt lekut, duke ndikuar drejtpërdrejt në shtimin e kosotve për bizneset eskportuese, dhe rrjedhimisht duke komprometuar fitimet./EuroNews