Qindra hebrenj fanatikë nën mbrojtjen e policisë izraelite hynë në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa që ndodhet në zonën e qytetit të vjetër në Kudsin Lindor nën pushtim.

Në një deklaratë me shkrim nga Administrata e Vakëfeve Islame të Kudsit thuhet se 703 hebrenj fanatikë bastisën Xhaminë Al-Aksa duke hyrë nga porta Al-Magharibah në jugperëndim të saj.

Po ashtu bëhet e ditur se grupi hebre nën mbrojtjen e policisë izraelite, u largua nga Xhamia Al-Aksa pasi shëtiti nëpër kompleksin e saj.

Njoftohet se grupet hebreje në fjalë hynë në Xhaminë Al-Aksa në mëngjes dhe se këto hyrje do të vazhdojnë edhe pas drekës.

Në ditën e parë të festës "Pesach" e cila ishte dje, Xhamia Al-Aksa u bastis nga 292 kolonë hebrenj fanatikë.

Bastisje të tilla ndaj Xhamisë Al-Aksa nga hebrenjtë fanatikë, shkaktojnë përshkallëzimin e tensionit në rajon.

Hebrenjtë fanatikë pritet që të shtojnë bastisjet e tyre në Xhaminë Al-Aksa për shkak të festës "Pesach" e cila fillon më 22 prill dhe do të vazhdojë deri në mbrëmjen e 30 prillit.

 

- Status quo-ja në lidhje me Xhaminë Al-Aksa

Jordania konsiderohet vendi përgjegjës për çështjet fetare në Kuds, në përputhje me Marrëveshjen Wadi Araba të nënshkruar me Izraelin në 1994.

Sërish sipas marrëveshjes së nënshkruar mes mbretit Abdullah II të Jordanisë dhe presidentit palestinez Mahmoud Abbas në vitin 2013, e drejta për mbrojtjen dhe kujdestarinë e Kudsit dhe vendeve të shenjta atje iu dha Jordanisë.

Sipas marrëveshjes, Xhamia Al-Aksa është nën kujdesin e Administratës së Vakëfeve Islame të Kudsit e cila është e lidhur me Ministrinë e Vakëfeve, Çështjeve Islame dhe Vendeve të Shenjta të Jordanisë.

Hebrenjtë të cilët më parë vizitonin Xhaminë Al-Aksa me lejen e Administratës së Vakëfeve Islame të Kudsit, që nga viti 2003 e deri më sot, nën shoqërimin e policisë hyjnë në vendet e shenjta në kuadrin e vendimit të njëanshëm të Izraelit i cili shkel sovranitetin e Administratës së Vakëfeve.

Administrata izraelite mbron idenë se po ruhet status quo-ja historike ku në Xhaminë Al-Aksa "mund të adhurojnë vetëm muslimanët dhe anëtarët e feve të tjera vetëm mund të vizitojnë".

Por kolonët fanatikë hebrenj janë kapur shpesh në kamera duke u lutur dhe duke kryer rituale fetare gjatë bastisjeve që ata kryejnë në Al-Aksa nën mbrojtjen e policisë izraelite./aa