Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu deklaroi sot nga Qendra e Shërbimeve Arsimore se janë lehtësuar procedurat për aplikantët për licencimin dhe aplikimin në portal për t’u punësuar si mësues në sistemin parauniversitar.
Sipas Manastirliut, këto lehtësira janë një hap i rëndësishëm drejt lehtësimit të procedurave për punësimin e mësuesve dhe përmirësimit të sistemit arsimor në Shqipëri.
“Sot në Qendrën e Shërbimeve Arsimore jemi për një lajm, i cili do të bëjë të mundur lehtësimin e procedurave për mijëra mësues, të cilët do t’i nënshtrohet së shpejti provimit të licencimit. Ne kemi vendosur të lehtësojmë procedurën e realizimit të testimit sa i përket provimit të portalit “Mësues për Shqipërinë”, duke bërë të mundur që edhe realizimi i provimit të licencës edhe realizimi i testimit për t’u rekrutuar si mësues në sistemin arsimor të mundet të bëhen brenda një dite. Besoj se të gjithë kandidatët për mësues e kanë mirëpritur këtë hap të ri të lehtësirës së procedurave, sepse shkurton kohën e pritjes sa i përket punësimit si mësues me përafërsisht 6 muaj”, tha Manastirliu.
Gjithashtu, ministrja bëri të ditur se një tjetër proces ka nisur tashmë që është realizimit të ushtrimit të PISA 2025.
“Realizimi i ushtrimit të ‘Pisa 2025’ tani ka filluar në të gjithë vendin. Janë 2500 nxënës nga një kampion prej rreth 5000 nxënësish nga i gjithë vendi ku po kryhet ushtrimi parapërgatitor për ‘Pisa 2025’. Janë marrë masat për trajnimet e mësuesve dhe lehtësirave për sa i përket logjistikës sepse është një test i digjitalizuar. Për herë të parë bëhet kjo provë ushtrimore për të përgatitur, qoftë mësuesit për mënyrën sesi do të shpjegojnë, por qoftë edhe nxënësit që do t’i nënshtrohen vlerësimit të ‘Pisa 2025’ për të rritur sa më shumë performancën e vendit tonë në testimin Pisa”, tha Manastirliu.
Janë rreth 3500 aplikime për 24 profile të ndryshme të mësuesisë dhe këtë shtuar janë shtuar edhe dy profile të reja që janë arti skenik dhe koreografia. Të dyja testet si për provimin e licencës edhe rekrutimi si mësues në sistemin arsimor nga portali “Mësues për Shqipërinë” do të kryhen brenda një dite në fillim të muajit maj.
Aplikantët që do të rezultojnë të suksesshëm në provimin e licencës do t’i nënshtrohen provimit të portalit “Mësues për Shqipërinë” në të njëjtën ditë. Ky provim do të zhvillohet për 30 minuta me 20 pyetje që kanë 70 pikë, pra është një provim që teston vetëm pjesën didaktike, pedagogjike, pjesën e metodologjisë dhe drejtshkrimi. Aplikantët nuk testohet më për pjesën e shkencore, për të cilën janë testuar në provimin e licencës./ata