Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale së bashku ne Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor janë duke punuar për të sjellë listën e re të barnave të rimbursueshme për vitin 2024.

Lajmin e bëri të ditur sot ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, në një prononcim për medie pas mbledhjes së qeverisë.

Koçiu informoi se strukturat përkatëse janë duke bërë të gjithë kalkulimet e nevojshme mbas sjelljes së ofertave të kompanive farmaceutike, me synimin për të adresuar të gjitha ato problematika që janë sa i përket mungesës së disa barnave të caktuara.

Ministrja theksoi se kjo bëhet për t’i ardhur në ndihmë të gjithë popullatës me barna të rimbursueshme, që janë të domosdoshme për kujdesin shëndetësor të tyre.

“Qëllimi ynë kryesor është që ne ta pasurojmë këtë listë barnash të rimbursueshme dhe me alternativë të reja të cilat padiskutim ndihmojnë në një shëndet më të mirë të popullatës. Procesi pritet të përfundojë shpejt sipas parashikimeve ligjore”, theksoi Koçiu./ata