Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla priti në një takim sot në Prishtinë, Tomash Czernin, nënkryetar i Senatit të Parlamentit dhe Pavel Fischer, kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme, Siguri dhe Mbrojtje të Çekisë, njofton KosovaPress. Në takim ata kanë diskutuar mbi situatën aktuale të sigurisë dhe sfidat e vazhdueshme të shkaktuara nga Serbia.

Sveçla prezantoi angazhimet e qeverisë Kurti në fushën e sigurisë publike, luftën ndaj krimit të organizuar, korrupsionit, kontrabandës, trafiqeve të ndryshme dhe terrorizmit.

“Diskutuam për situatën aktuale të sigurisë dhe për sfidat e vazhdueshme të shkaktuara nga Serbia e cila vazhdon të ketë aspirata territoriale ndaj vendit tonë. E falënderova delegacionin çek për reagimin publik në dënimin e sulmit terrorist të 24 shtatorit dhe zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij sulmi”, shkroi ai në Facebook.

Delegacioni çek përgëzoi ministrin Sveçla për angazhimin e vazhdueshëm, që pavarësisht sfidave të njëpasnjëshme, kanë arritur të kenë suksese në prioritetet e qeverisë, si dhe shprehën gatishmërinë e plotë për thellim të bashkëpunimit në fushën e sigurisë.

/KosovaPress/