Administrata Tatimore rikujton individët se 30 prilli është afati i fundit për plotësimin e Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT) publikoi hapat që ndiqen për të plotësuar saktë Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA) për vitin 2023, si detyrim ligjor për çdo individ që: ka mbi 2 milionë lekë të ardhura vjetore dhe ka qenë i dypunësuar qoftë edhe për një periudhë tatimore brenda vitit 2023.
Sipas DPT-së, deklarata plotësohet online në faqen e Tatimeve. Pasi plotësohen të dhënat e përgjithshme, vijohet me plotësimin e të ardhurave. Deklarata gjenerohet e paraplotësuar automatikisht me të ardhurat vjetore bruto nga pagat apo shpërblimet, si dhe me përllogaritjen e tatimit mbi të ardhurat nga punësimi.
“Ndërkohë nëse ke të ardhura nga dividenti, qiraja, fitimi kapital nga shitja e pasurive të paluajtshme; interesa bankare etj., duhen plotësuar rubrikat përkatëse dhe tatimi i llogaritur për to. Nëse tatimi i paguar është më i vogël se tatimi i llogaritur diferenca duhet paguar brenda datës 30 prill 2024.
Në deklaratë duhen përfshirë nëse ka edhe të ardhurat bruto të realizuara jashtë territorit të Shqipërisë.
Për çdo rast, individët kanë mundësi ta korrigjojnë deklaratën 2 herë brenda 3 muajve nga data e plotësimit të deklaratës fillestare”, thekson DPT-ja.
DPT thekson se, deklarimi i të ardhurave përveç se është detyrim ligjor i çdo individi, subjekti, është një garanci më shumë lidhur me justifikimin e pasurisë./ata