Turqia renditet investitori i tretë më i madh në vend, pas Holandës dhe Italisë për 9-mujorin e vitin 2023.

Statistikat tregojnë se, në viti 2023 investimeve turke në Shqipëri shënuan zgjerim, krahasuar me një vit më parë.

Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, për 9-mujorin 2023, flukset e reja të investimeve turke shënuan vlerën e 126 milionë eurove.

Në të njëjtën periudhë të vitit 2022, flukset e investimeve turke kishin vlerë negative prej 3 milionë eurosh, të shkaktuar kryesisht nga shitja e aksioneve të kompanisë së telekomunikacionit nga konsorciumi turk CETEL.

Por, këtë vit, flukset e investimeve turke janë rritur ndjeshëm. Pas largimit nga sektori i telekomunikacioneve, ndërmarrjet turke vazhdojnë të kenë një rol të rëndësishëm në sektorin financiar, atë energjetik, në industrinë nxjerrëse, etj.

Stoku i investimeve turke ka arritur vlerën e 968 milionë eurove, në rritje me 14% krahasuar me një vit më parë.

Turqia po ashtu është partner i rëndësishëm tregtar ekonomik i Shqipërisë. Gjatë kësaj periudhe shkëmbimet tregtare mes dy vendeve kanë shënuar rritje të qëndrueshme.

Bashkëpunimi tregtar me Turqinë zë 7.8 % të gjithë vëllimit tregtar që zhvillon Shqipëria me vende të ndryshme të botës./ata