Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë i Kuvendit të Kosovës ka pritur në takim anëtarë të Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit të Finlandës.

Kryetarja e Komisionit kosovar, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni dhe anëtarët e tjerë të komisionit pasi e falënderuan delegacionin finlandez për vizitën po ashtu i përgëzuan ata për anëtarësimin e Finlandës në NATO.

Gjatë takimit u diskutua për një varg çështjesh me interes për të dyja vendet, ndërkaq rëndësi e veçantë iu kushtua koordinimit sa më efikas në mënyrë që Kosova të ketë sukses në kapërcimin e sfidave në rrugën e saj të integrimit evropian.

Në emër të delegacionit finlandez, foli Kimmo Kiljunen, kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit të Republikës së Finlandës.

“Finlanda mbështet perspektiven evropiane për Kosovën, dhe për këtë mbetet e angazhuar në mënyrë të vazhdueshme”, tha Kiljunen lidhur me çështjet e ngritura gjatë takimit./aa