Të paktën 19 persona janë vrarë në sulmet ajrore të intensifikuara të Izraelit në Libanin jugor gjatë ditës së fundit.

Siç raporton agjencia shtetërore e lajmeve NNA, tre persona humbën jetën kur avionët luftarak izraelitë kryen dy sulme ajrore në qytetet kufitare Burji al-Shemali dhe Qaaqaait Al Jisr.

Sipas NNA-së, pesë persona të tjerë u vranë dhe disa u plagosën në sulmet ajrore izraelite në qytetin Tyre.

Dy sulme të tjera po ashtu goditën qytetin Marjeyoun, duke vrarë të paktën tetë njerëz, ndërkohë tre persona u vranë gjithashtu në një tjetër sulm ajror në qytetin Bafliyeh.

Mediat libaneze po ashtu raportuan një sulm izraelit ndaj një xhamie në qytetin kufitar Al-Dhahira, duke shkatërruar plotësisht atë dhe duke shënuar një dukuri të përsëritur të sulmeve ndaj objekteve fetare gjatë konfliktit.

Forca izraelite po ashtu thuhet se sulmuan disa shtëpi pranë një baze të misionit paqeruajtës të OKB-së (UNIFIL) në Al-Dhahira të cilat i shpërthyen.

Izraeli nisi një fushatë masive ajrore në Liban muajin e kaluar në një përshkallëzim nga lufta 1-vjeçare ndërkufitare midis Izraelit dhe Hezbollahut që nga fillimi i ofensivës brutale izraelite ndaj Rripit të Gazës.

Sipas autoriteteve shëndetësore libaneze, të paktën 2.650 njerëz janë vrarë dhe mbi 12.300 të tjerë janë plagosur në Liban si pasojë e sulmeve izraelite që nga viti i kaluar.

Izraeli në fillim të këtij muaji zgjeroi konfliktin duke nisur një sulm tokësor në Libanin jugor./aa