Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se nuk do të komentojë mbi asnjë person që ka një çështje të hapur me drejtësinë.
I pyetur për sulmet e kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta ndaj SPAK, në një intervistë në Report TV, Rama tha se SPAK-u duhet të vazhdojë drejt.
“Ju më kërkoni një koment. Unë nuk kam bërë asnjëherë një koment, për askënd që ka një çështje të hapur me SPAK-un, apo se ndjen se SPAK-u mund t’i hapë një çështje, se pastaj do të krijonim kushtet që konfuzioni i krijuar nga të gjithë këta njerëz, të cilët nuk e fshijnë dot të kaluarën e tyre, do të ishte shumë i madh dhe shumë i dëmshëm. Nuk mund të bëj asnjë koment”, u shpreh Kryeministri.
“Di të them vetëm se shqiptarët e kanë treguar në të gjithë këto vite, – tha Rama, – se kanë instinkt të jashtëzakonshëm politik, dhe e kuptojnë vetë se kush është kush në këtë histori, apo se e ka ky apo ai përgjegjësinë, apo se këtij apo atij po i bie në qafë kot, nuk është nevoja ta diskutoj unë.”
“SPAK-u të vazhdojë drejt. Ka të gjithë mbështetjen time pa kushte dhe të PS. Dhe se çfarë rezervash mund të kem unë, apo mund të kemi ne, këto janë legjitime, por jo një arsye që ne të bëjmë komente në publik, sepse në fund të fundit SPAK është një bebe në raport me historinë. Pushteti ekzekutiv, legjislativ në Shqipëri janë pushtete me një histori gjithsesi dhe Shqipëria ka pasur dhjetëra e dhjetëra qeveri dhe përsëri qeveria bën gabime, ka të meta”, shtoi Rama.
Si mund të pretendojmë, vijoi kryeministri, që një bebe e sapoardhur në jetë të mos ketë të meta, apo të mos bëjë gabimet e veta.
“Por kjo s’ka lidhje me të vërtetën e madhe se SPAK-u po jep një kontribut të jashtëzakonshëm në shembjen e mitit legjendar të pandëshkueshmërisë që e ka sunduar Shqipërinë dhe shqiptarët”, deklaroi Rama./ata