Vaji i palmës dhe qumështi pluhur përdoren masivisht në produktet blegtorale, që prodhohen nga baxhot në vend. Ky ishte shqetësimi i ngritur nga opozita që Komisionin e Ligjeve, por që u hodh poshtë nga Ministrja e Bujqësisë Anila Denaj.
“Me mijëra tonelata qumësht vijnë nga Serbia. Bëni një raport, shikoni qumështin pluhur, dhe më e frikshmja a e dini kush është? Vaji i palmës sepse po shpërndahet me faturë 1500 euro vetëm që të mos deklarohet”, tha Korreshi.
“Analizat i kemi çuar në Çeki, mund t’ju garantoj që për 270 baxhot prodhimi i djathit është i një standardi shumë të lartë. Dhe nuk mund të abuzohet me prodhimin e fermerëve shqiptar dhe të krijohet panik”, tha Denaj.
Dominimi i importit mbi prodhimin vendas mund të luftohet sipas opozitës vetëm me shtim të financimit për bujqit e blegtorët vendas, të cilët vuajnë konkurrencën e pandershme.
“Rreth 36% e fermave blegtorale kanë 1 deri në 5 lopë. Flet për një ekonomi shumë të vogël. Kjo nuk do të thotë që duhet që këta fermer të lihen mënjanë, pasi gjysma e skemës kombëtare shkon për blegtori. Thirrja ime si ministre që në fillim, ka qenë të bashkohen njësitë që të përfitojnë 100% të skemës. Kështu nxitet edhe ekonomia. Do lancojmë edhe një skemë me grante 50% për sera dhe stalla”, tha Denaj.
“Nuk është domosdoshmëri që duhet patjetër të kenë 50 lopë. Është e pamundur. Të gjithë duhet të kuptojmë një gjë, më gjeni territore ku do të kulloten këto bagëti, pasi në bazë të ligjit 7501, fermerët nga 2 dynym kanë. Kosova që është një shtetit i ri, jep 25 euro për një dele, kurse ne e kemi 12 euro. Rruga në të cilën është bujqësia është në ditën më të vështirë të saj. Do të ndalojë kjo hemorragji në blegtori apo do të vazhdojë kështu?”, tha Dash Sula.
Ndërsa shqetësimeve të ngritura për tkurrje të krerëve të bagëtive në Shqipëri vit pas viti, ministrja Denaj ju përgjigj duke paralajmëruar ndryshime në taksat e importit përsëri, me qëllim që fabrikat të furnizohen me mallra importi.
Ministrja njoftoi se do të ulet TVSH-ja në import nga 20% në 10%, për lëndën e parë që përdoret nga fabrikat e sallamit në vend.
“Cilat janë shtetet që mbajnë peshën më të madhe nga ku vjen mishi nga jashtë”, tha Çupi.
“Janë 15 kompani shqiptare që importojnë mish cilësor. Kanë kërkuar uljen e një takse 10% për të qenë konkurrent me kompanitë në rajon. Po e studiojmë për ta prezantuar në paketën e re fiskale”, tha Denaj.
Diskutimet u bënë në komisionin e Ligjeve teksa Ministrja e Bujqësisë prezantoi dy projektligje atë për peshkimin dhe për shërbimin veteriner në vend. Denaj sqaroi se të dy aktet synojnë përafrimin me legjislacionin e BE-së, ku ndryshimet tek ligji i veterinarisë synohet kontroll më i mirë i shëndetit të kafshëve, rregullim i medikamenteve të farmacive veterinare me synim garantimin e sigurisë ushqimore.
Ndërsa tek peshkimi, synohet rritja e prodhimit peshkor, pasi përmes ndryshimeve anijet shqiptare do të peshkojnë përtej detit Mesdhe siç është aktualisht, me qëllim që të peshkohet në dete të thella e të largëta që do të sjellin një rritje të sasisë së peshkut të zënë, e për pasojë edhe më shumë eksport të këtyre produkteve./Shqiptarja