Juve-Atalanta është finalja e madhe e Kupës së Italisë, një sfidë totale e cila do të zhvillohet në Romë, më 15 maj. Ekipi i Gjimshitit likuidoi me “poker” golash Fioren, një ndeshje që u vendos në limite, por një sukses shumë i rëndësishëm për bergamaskët të cilët vijojnë rrugëtimin e tyre në dy fronte, pasi janë në lojë edhe në Europa League, ky duket sezoni ideal për të synuar një trofe.
Atalanta e nisi me gol, me Koopmeiners që gjeti rrugën e rrjetës që në minutën e 8-të. Pak minuta më pas, Scamacca realizoi një super gol, por gjyqtari i takimit, me ndihmën e VAR, anuloi gjithçka për faull në sulm. Kjo sfidë u ndërlikua shumë për Fioren, pasi Milenkovic u ndëshkua me karton të kuq, me fillimin e pjesës së dytë. Pavarësisht se me një lojtar më pak, Fiorentina barazoi shifrat në 1-1 në minutën e 68-të. Në momentin më përcaktues të sfidës, në minutën e 75-të, Scamacca me një ekzekutim fantastik kaloi Atalanta-n në avantazh. Bergamaskët nuk u ndalën këtu, por u hodhën në sulm për të mbyllur llogaritë me Fioren brenda kohës së rregull. Në shtesë, në minutën e 94-të, Lookman realizoi golin e tretë pasi një zbritje të shpejt në sulm. Një minutë më pas, Pasalic realizoi edhe golin e katërt për Atalanta duke kaluar me spektakël në finalen e Kupës së Italisë.
erat Gjimshiti zhvilloi një 90-minutësh pozitiv, i vlerësuar nga mediat me notën 6: “Perfekt në çdo mbyllje, shihet kudo, vetëm pak me vonesë në golin e 1-1”. Atalanta po shijon këtë periudhë një super Scamacca, një lajm i shkëlqyer edhe për trajnerin Spalletti përpara “Euro2024”, por “bomberi” azzurr theksoi se për momentin është i përqendruar vetëm tek Atalanta:
“Të lush me Atalanta është fantastike. Zhvilluam një ndeshje të madhe, por në finale nuk ka favorit, sigurisht do të shkojmë për të fituar. Ekipi përfaqësues? Për momentin, mendoj vetëm për Atalanta-n”, theksoi Scamacca pas ndeshjes./BalkanWeb