Mbi 90 biznese bujqësore e prodhues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Italia, Spanja, Zvicra, Gjermania dhe më gjerë janë bërë bashkë në Panairin Ndërkombëtar “Ditët e Bujqësisë” në Lushnjë.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, ndau në rrjete sociale momente nga takimi që u zhvillua në çelje të panairit, ku u diskutua mbi politikat e zgjerimit rajonal të bashkëpunimit në fushën e bujqësisë dhe sfidat e zhvillimit të sektorit përballë ndryshimeve klimatike.

“Bashkëpunimi rajonal në sektorin bujqësor është me rëndësi për fuqizimin e ekonomisë rurale, garantimin e sigurisë ushqimore dhe përballjen me ndikimet e ndryshimeve klimatike dhe efektin e tyre në bujqësinë e rajonit”, tha Denaj.

Sipas saj, bashkë do të duhet të ofrojmë politika për siguri ushqimore të qëndrueshme, të zhvilluar dhe me kosto optimale për konsumatorët dhe prodhuesit.

Denaj u shpreh shumë e kënaqur që këtë angazhim e morën së bashku me homologun, ministrin e Bujqësisë së Kosovës Fatos Peci, Sekretarin e Përgjithshëm të SWG, Boban Ilic dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Bujqësisë në Maqedoninë e Veriut, Salih Gjonbalaj, të cilët ishin të pranishëm në çeljen zyrtare të panairit./ata