Eksportet e tekstileve dhe këpucëve, që përbëjnë një zë të rëndësishëm të tregtisë së jashtme të Shqipërisë, gati 28 % të vëllimit, vijuan rikuperimin edhe gjatë vitit 2022.

 

Eksportet e këtij grupi rezultuan 17 miliardë lekë më të larta edhe krahasuar me 2019-ën, që përkon me periudhën para pandemisë.

 

Referuar të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave, eksportet e këtij grupi arritën 135.2 miliardë lekë gjatë 2022, kur në 2021 ato llogariteshin rreth 112.4 miliardë lekë. Në 2019-ën, ato ishin 118.1 miliardë lekë.

 

Ekspertët shprehen se, pasiguritë që vijnë për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë, çmimit të karburantit, apo krizës energjetike globale mund të ngadalësojnë ritmin.

 

Industria fason ka një peshë specifike në eksportet shqiptare dhe në punësim. Kjo industri kontribuon me 38 % në totalit të eksporteve dhe angazhon 45 % të forcës punëtore.

 

Falë avantazheve të tilla si, pozicioni gjeografik i vendit, kuadri ligjor me standardet e BE-së, kosto e ulët e transportit dhe infrastrukturës, fuqisë punëtore, e gatshme për të punuar në këtë sektor, por edhe investimeve të larta të kompanive në makineri dhe pajisje, vitet e fundit kemi zgjerim të eksporteve drejt tregjeve të reja dhe disa kompani po shkojnë drejt mbyllje së plotë të ciklit/ATSH