Më shumë se 1.5 milionë shtetas të huaj kanë hyrë në Shqipëri vetëm në 3 muajt e parë të këtij viti, duke u rritur me 43,4%, në raport me tremujorin e parë të vitit të kaluar kur vendi u vizitua nga rreth 1 milionë të huaj. Referuar shifrave të INSTAT, vetëm në muajin e kaluar në territorin shqiptar kanë hyrë 564.975 shtetas të huaj, ose 47,1 % më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2023.
“Në Mars 2024 rajoni me numrin më të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri është rajoni i Evropës me 539.683 shtetas, pasuar nga Amerika dhe Azia Lindore dhe Paqësori, përkatësisht me 14.267 dhe 5.254 shtetas”, thotë INSTAT.
Me këto shifra për tremujorin e parë të vitit, duket i arritshëm edhe objektivi i shpallur nga qeveria për këtë vit për të pritur 14 milionë shtetas të huaj.
Ky fluks i turistëve, po ndikon negativisht tek valutat në treg, të cilat vijojnë të zhvlerësohen në raport me lekun. Banka e Shqipërisë thotë se shkaku kryesor për këtë zhvlerësim të valutave janë prurjet valutore nga jashtë, për shkak të numrit të lartë të turistëve. Bumi turistik sipas bankës ka bërë që të shtohet sasia e valutës në treg, ndërkohë që kërkesa është e ulët. Aktualisht një euro po këmbehet me 100.8 lekë, ose rreth 12% më pak se një vit më parë, ndërsa dollari ka rënë në vlerën 93.9 lekë./Shqiptarja