Gazment Bardhi, kryetar i grupit parlamentar në Partinë Demokratike ka paraqitur kërkesë për interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama, lidhur me investigimin e Rai 3.

Sipas Bardhit, pas investigimit, kryeministri Rama ka lëshuar akuza dhe fyerje të forta në drejtim të kanalit televiziv italian RAI 3, drejtuesve të tij, moderatorit të emisionit “Report” dhe gazetarit që ka realizuar investigimin.

“Në këto kushte, me qëllim dhënien e informacioneve dhe shpjegimeve lidhur me shqetësimet e paraqitura në përmbajtje të investigimit të emisionit “Report”, në televizionin italian RAI 3, si dhe ndërhyrjen tek drejtuesit e këtij televizioni lidhur me këtë investigim nga ana e Kryeministrit Edi Rama, kërkojmë zhvillimin e një interpelance urgjente me kryeministrin Edi Rama” – thuhet në shkresën e firmosur nga Kryetari i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi./Shqiptarja