Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj u tha sot fermerëve të mbledhur në panairin “Ditët e Bujqësisë”, në Lushnjë se qeveria do të vijojë mbështetjen financiare për fuqizimin e tyre.

E shoqëruar nga kryetarja e bashkisë së Lushnjës, Eriselda Sefa, Denaj teksa vizitonte stendat e fermerëve, bletarëve, përpunuesve e sipërmarrjeve bujqësore, foli për rëndësinë e politikave për siguri ushqimore të qëndrueshme, të zhvilluar dhe me kosto optimale për konsumatorët dhe prodhuesit.

“Bashkë me Eriselda Sefën vizituam stendat e fermerëve, bletarëve, përpunuesve e sipërmarrjeve bujqësore, mbushur me njerëz frymëzues të bujqësisë. Do të vijojmë nxitjen e më shumë panaireve lokale dhe ndërkombëtare, për fuqizimin e prodhuesve dhe rritjen e vlerës së produktit bujqësor “Made in Albania” “, u shpreh ajo.

Mbi 90 biznese bujqësore e prodhuese nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Italia, Spanja, Zvicra, Gjermania dhe më gjerë janë bërë bashkë në Panairin Ndërkombëtar “Ditët e Bujqësisë” në Lushnjë./ata