Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se kjo qeveri ka rritur masën e zonave të mbrojtura duke e çuar në afro 1/4 e territorit të vendit, afër 25%.

Në një intervistë televizive, Rama u shpreh se “ne jemi e para qeveri që ka bërë inventarin e zonave të mbrojtura, pasi nuk kishte regjistër e as kufij të zonave të mbrojtura”.

“Të deklarosh një zonë të mbrojtur ka një sërë kriteresh nga biodiversiteti tek sasia e burimeve natyrore aty, është një gjë shumë komplekse. Ne kemi shpallur një zonë të mbrojtur unikale që kalon gjithë trupin e vendit, parkun kombëtar të Vjosës”, tha Rama.

Vizioni i qeverisë sipas tij, është për një turizëm që aset kryesor ka natyrën dhe jo godinat.

“Është vizion, aftësi dhe dije që ne i zotërojm, ndërsa ata që flasin janë prerësit më të mëdhenj të pyjeve në historinë e njerëzimit”, tha Rama.

Duke folur për ndryshimet në ligjin e zonave të mbrojtura, Kryeministri kujtoi se në të gjithë territorin e Shqipërisë janë bërë kthime e kompensime pronash, njohje pronash dhe Shqipëria nuk është një park ku jetojnë zogj e kafshë, por është një territor ku jetojnë njerëz.

“Janë shumë qytete dhe fshatra që preken nga vendosja e Vjosës si zonë e mbrojtur. Atyre nuk mund t’i themi këtu është pyll, natyrë dhe nuk keni të drejtë të ngulni një gozhdë. Duhet t’i harmonizojmë të dyja dhe njerëzit që jetojnë në zonat e mbrojtura të përfitojnë nga fakti se kjo është zonë e mbrojtur, të kenë një ekonomi më të mirë dhe jo të shohin gjethet e zogjtë dhe të mos kenë mundësi për asnjë aktivitet”, tha Rama.

Kryeministri sqaroi se këtu nuk flitet për ndërtime pallatesh, por për një qasje ndaj pjesëve të caktuara të zonave të mbrojtura që e pranojnë ndërveprimin mes natyrës dhe aktivitetit ekonomik të njeriut.

“Në ligjin e zonave të mbrojtura ka kategorizime dhe jo çdo zonë e mbrojtur ka të njëjtën kategori. Në gjuhën e legjislacionit quhen ‘zona të pashqetësuara’. Nëse është e tillë aty ti nuk ndërton asgjë. Ka shumë elementë që sqarohen me ligjin e ri”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se kjo qeveri nuk ka lejuar asnjë zhvillim në zonë të mbrojtur, por ka trashëguar zona të mbrojtura që janë me zhvillime, me ndprtime etj.

“Janë fakte që kanë ndodhur nën udhëheqjen e atyre që mbasi e shkatërruan, tani kanë rithemeluar fuqinë e shkatërrimit”, tha Rama.

Duke folur për investimet strategjike, Kryeministri kujtoi se kompania ndërkombëtare në turizëm AMAN ka ndërtime hotelesh në zona që konsiderohen pasuri botërore nën mbrojtjen e UNESCO-s./ata