Bashkimi Evropian, pas shumë orësh diskutimesh të gjata ka miratuar paketën e dhjetë të sanksioneve ndaj Rusisë.

 

“Së bashku, vendet anëtare të BE-së kanë vendosur sanksionet më të forta dhe më të gjera ndonjëherë për të ndihmuar Ukrainën të fitojë luftën. BE qëndron e bashkuar me Ukrainën dhe popullin ukrainas. Ne do të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën, për aq kohë sa të duhet,” njoftoi presidenca suedeze në Twitter.

 

Paketa përfshin kufizime më të rrepta të eksportit në lidhje me mallrat, si dhe masa kundër subjekteve që mbështesin luftën, përhapin propagandë ose dërgojnë dronët e përdorur nga Rusia. Varshava tha se kufizimet e propozuara për importet e gomës ruse nga BE përfshinin një kuotë kaq të madhe dhe periudha kaq të gjata tranzicioni sa nuk do të kishin asnjë efekt në praktikë.

 

Vendet e tjera të BE-së iu trembën faktit se Varshava nuk do të miratonte paketën e dhjetë të shpallura në përvjetorin e agresionit kundër Ukrainës. BE-ja ka thënë se raundi i 10-të i sanksioneve kundër Rusisë që nga fillimi i luftës ishte projektuar për ta bërë më të vështirë financimin e luftës dhe për t’i ndaluar Rusisë që të marrë pajisje teknologjike.

 

Masat synojnë gjithashtu përfshirjen në listën e zezë të shumë individëve, ata që Kievi i konsideron përgjegjës për deportimin e fëmijëve ukrainas në Rusi dhe ata të përfshirë në prodhimin e dronëve iranianë që janë përdorur në vijën e frontit.

 

Paketa ishte krijuar gjithashtu për të shkëputur më shumë banka private që financojnë Rusinë në luftë dhe për të shkurtuar tregtinë midis BE-së dhe Rusisë me më shumë se 10 miliardë Euro. Sanksionet kanë goditur eksportet kyçe ruse, sikurse ato të naftës, dhe kanë pasur për qëllim që të godasin të ardhurat e luftës së presidentit rus, Vladimir Putin.