Një ndërhyrje delikate është realizuar me sukses tek një pacient 30-vjeçar nga personeli i Shërbimit të Neurokirurgjisë në bashkëpunim me Shërbimin ORL-së në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu në një postim në rrjetet sociale.

“Për herë të parë në strukturat e shëndetit publik nga bashkëpunimi i ekipit multidisiplinar dhe aparaturave bashkëkohore, kryhet një operacion në qendrën shumë delikate të trurit (regjioni supraselar) duke eliminuar ndërhyrjen përmes kokës”, tha Koçiu.

Ministrja Koçiu u shpreh se “pacienti është jashtë rrezikut për jetën falë punës profesionale e të përkushtuar të ekipit të mjekëve neurokirurgë, ORL e anesteziste, Prof. Artur Xhumari, Dr. Tedi Minarolli, Dr. Myfit Saraçi si dhe personelit infermieror Ridvana Gjura, Ervin Meta të cilët asistuan gjatë ndërhyrjes kirurgjikale”.

Në videon e publikuar nga ministrja Koçiu, Prof.Dr. Artur Xhumari, shef i Shërbimit të Neurokirurgjisë tha se “pacienti është 30 vjeç dhe prej kohësh kishte probleme me shikimin. Arsyeja pse kishte probleme është njolla e bardhë në qendër të trurit. Menduam se do kishim sukses me rrugën nga hunda”.

Dr Myfit Saraçi anestezist theksoi se “ishte një operacion shumë delikat i trurit dhe u krye në bashkëpunim me ORL. Operacioni shkoi shumë mirë pa ndonjë komplikacion specifik”.

Pacienti Oltion Shahinasi falënderoi mjekët për ndërhyrjen.

“Falënderoj Dr.Artur Xhumari për ndërhyrjen e suksesshme, si dhe stafin e Neokirurgjisë”, tha Shahinasi./ata