Greqia ka ngritur alarmin pas humbjes së jetës së tre fëmijëve nga Streptokoku A, ndërsa shifrat e pacientëve të prekur nga infeksioni respirator bakterial është shtuar ndjeshëm.

 

Edhe mjekët pediatër në vendin tonë thonë se fundi i Marsit dhe fillimi i këtij muaj ka sjellë një rritje të vizitave të fëmijëve, ku nuk mungojnë as rastet me tonsilit.

 

“Ka një rikthim të disa virozëve, predominojnë infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes respiratore që janë në fakt më të shtuara këto ditë. Bajamet e qelbëzuara, është shumë e vështirë për t’u menaxhuar shpesh herë dhe temperatura tek fëmijët.”

 

Sipas mjekes Sonila Brati, në rastet kur analizat tregojnë se fëmija ka streptokok trajtimi me antibiotik është i gjatë dhe duhet zbatuar me përpikmëri pasi pasojat mund të jenë të rënda.

 

“Duhet marrë trajtim të paktën 10 ditë deri në dy javë, nuk duhet neglizhuar nga ana e prindit trajtimi. Sepse nëse nuk trajtohet mirë, ngelet aty prezent, duket sikur në një moment humbet simptomat, por ai nuk ç’rrënjoset.  Nëse nuk trajtohet, problemet që prekin fëmijët janë qoftë nga ato kardiake, reumatologjike, të veshkave. Nuk e di si kanë qenë rastet në Greqi, nëse këta fëmijë kanë pasur probleme të tjera apo realisht problemi i vetëm ka qenë streptokoku.”

 

Problem më i madh të fëmijët është temperatura shumë e lartë e cila arrin edhe 40 gradë Celsius.

 

Organizata Greke e Shëndetit Publik, ka konfirmuar se, dy nga fëmijët që kanë humbur jetën gjatë muajit Shkurt dhe Mars, janë të moshës 6 vjeç dhe një 19 muaj, por pa lidhje epidemike më njëri- tjetrin./KlanNews